Mohamed Ouahbi nuk ndoqi rrugën klasike të një trajneri futbolli. Ai nuk ishte futbollist profesionist dhe nuk e ndërtoi emrin mbi trofe të fituar në elitën e futbollit. Për vite me radhë, 49-vjeçari punoi si mësues i edukimit fizik në një shkollë në Bruksel, ku u jepte mësim fëmijëve nga 6 deri në 12 vjeç.
Pas përfundimit të orëve të mësimit, ai vishte teshat e trajnerit dhe shkonte në fushën e stërvitjes. Pikërisht aty nisi rrugëtimi i "Trajnerit Momo", i cili sot drejton kombëtaren e Marokut dhe është vetëm një hap larg një tjetër arritjeje historike në Kupën e Botës.
I lindur në Bruksel nga një familje me origjinë marokene, Ouahbi u dashurua me futbollin që në fëmijëri. Kupa e Botës 1986, kur Maroku u bë kombëtarja e parë afrikane që kaloi fazën e grupeve, e lidhi përgjithmonë me "Luanët e Atlasit".
Karrierën si trajner e nisi në moshën 21-vjeçare te Makabi Brusels, ndërsa në vitin 2003 mori mundësinë e madhe në akademinë prestigjioze të Anderlehtit. Për plot 17 vite ai punoi me grupmoshat e klubit belg, duke u bërë një nga trajnerët më të vlerësuar të të rinjve.
Gjatë kësaj periudhe, Ouahbi bashkëpunoi edhe me trajnerin shqiptar Besnik Hasi si pjesë e stafit të ekipit të parë. Në akademinë e Anderlehtit ai kontribuoi në zhvillimin e disa prej emrave më të njohur të futbollit belg, mes tyre Romelu Lukaku, Juri Tielemans, Zheremi Doku dhe Dodi Lukebakio.
Një histori e veçantë lidhet edhe me Remko Evenepoelin. Përpara se të bëhej një nga çiklistët më të mirë në botë, ai ishte pjesë e akademisë së Anderlehtit.
"E kishim Remkon tek Anderlehti deri në nivelin U-19", ka kujtuar Ouahbi.
Për trajnerin maroken, arsimi ka qenë gjithmonë po aq i rëndësishëm sa futbolli.
"Pamë se lojtarët që arrinin në ekipin e parë ishin zakonisht ata që kishin përfunduar shkollën e mesme. Futbolli modern kërkon disiplinë dhe arsimi luan një rol të rëndësishëm", është shprehur ai.
Pas një eksperience në Arabinë Saudite me Al-Fateh, në vitin 2022 mori telefonatën që i ndryshoi karrierën. Federata Marokene e Futbollit i besoi drejtimin e kombëtares U-20, duke vlerësuar punën e tij shumëvjeçare në Belgjikë.
Suksesi erdhi shpejt. Brenda tre vitesh, Ouahbi ndërtoi një ekip konkurrues dhe e udhëhoqi Marokun drejt triumfit në Kupën e Botës U-20, pas fitores ndaj Argjentinës në finale.
Pas largimit të Valid Regragi, Federata vendosi t'i besojë drejtimin e kombëtares së parë.
Edhe pse emërimi i tij u prit me skepticizëm, rezultatet folën shpejt. Me një skuadër, mosha mesatare e së cilës është vetëm 26.4 vjeç, Maroku është shndërruar në një nga surprizat më të mëdha të Kupës së Botës 2026.
"Lojtarët e rinj shpesh kritikohen se nuk dëgjojnë më të vjetrit, por te ne ndodh e kundërta. Ata respektojnë stafin teknik dhe futbollistët me përvojë. Kemi ndërtuar një kulturë të fortë respekti reciprok", ka deklaruar trajneri.
Tashmë, "Trajneri Momo" përballet me provën më të madhe të karrierës. Përballja me Francën në çerekfinale mund t'i japë mundësinë të vazhdojë ëndrrën e Marokut dhe të shkruajë një tjetër kapitull historik me "Luanët e Atlasit".
Lini një Përgjigje