
Franca “likujdon” Marokun dhe shkon në gjysmëfinale për herë të tretë radhazi. Mbape “korrigjon” gabimin e pjesës së parë
Franca është skuadra e parë që siguron një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, pasi mposhti Marokun me rezultatin 2-0 në çerekfinalen e zhvilluar në stadiumin “Gillette Stadium”, në Massachusetts.
Francezët patën mundësinë të kalonin në avantazh që në minutën e 25-të, kur Kilian Mbape u ndal në mënyrë të parregullt në zonë nga Nusair Mazraui. Gjyqtari akordoi penallti, vendim i konfirmuar edhe pas rishikimit me sistemin VAR. Megjithatë, sulmuesi francez nuk arriti të shfrytëzonte rastin, pasi goditja e tij u prit pa vështirësi nga portieri Bono.
Në fundin e pjesës së parë, Lukas Dinje provoi me një goditje spektakolare nga distanca, por topi u ndal në traversë, duke bërë që 45 minutat e para të mbylleshin në barazim pa gola.
Franca zhbllokoi sfidën në minutën e 60-të. Pas një asisti të Dezajër Due Kilian Mbape realizoi me një goditje të saktë brenda zonës, duke kaluar skuadrën e tij në epërsi.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Osmane Dembele dyfishoi shifrat me një goditje të bukur nga jashtë zonës, duke vulosur praktikisht kualifikimin e francezëve.
Maroku pati një mundësi të mirë për të rihapur ndeshjen në minutën e 85-të, por goditja e Ounahi u ndal me një pritje vendimtare nga portieri Majk Menjo.
Me këtë fitore 2-0, Franca siguron për herë të tretë radhazi praninë në gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Në gjysmëfinale "Gjelat" do të përballen me fituesin e çiftit Spanjë-Belgjikë.
Lini një Përgjigje