Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u shfaq optimist për të ardhmen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara. Në një vlerësim pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Ankara, ai i kushtoi vëmendje të veçantë takimit me presidentin amerikan Donald Trump, duke shprehur bindjen se do të ketë zhvillime pozitive për programet KAAN dhe F-35.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Erdogan e cilësoi të suksesshëm Samitin e 36-të të NATO-s, duke theksuar se ai nxori në pah rolin qendror të Turqisë brenda Aleancës.
Presidenti turk u shpreh se bisedimet me Trump pritet të japin rezultate që përmbushin pritshmëritë e Ankarasë në fushën e industrisë së mbrojtjes.
"Në një periudhë kur arkitektura globale e sigurisë po riformësohet nga konkurrenca mes fuqive të mëdha, kërcënimet hibride, krizat rajonale dhe teknologjitë e reja, ky samit tregoi edhe një herë rolin qendror të vendit tonë në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë, aftësinë e tij diplomatike dhe përgjegjësinë si aleat", shkroi Erdogan.
Ai shtoi se vizioni "NATO 3.0" synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës dhe përshtatjen e Aleancës me realitetin e ri, duke theksuar se Turqia, falë kapaciteteve ushtarake, pozicionit strategjik, përvojës diplomatike dhe industrisë së saj të mbrojtjes, ndodhet në qendër të këtij transformimi.
Erdogan njoftoi gjithashtu se në kuadër të samitit u nënshkrua Marrëveshja e Partneritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa nisën negociatat për një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Kanadanë.
"Besoj veçanërisht se bisedimet konstruktive dhe produktive që zhvilluam me mikun tim të çmuar, presidentin e SHBA-së, z. Trump, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tonë me rastin e samitit, do të çojnë në rezultate konkrete që do t'u përgjigjen pritshmërive të vendit tonë në fushën e industrisë së mbrojtjes, veçanërisht për avionin tonë luftarak kombëtar KAAN dhe programin F-35", deklaroi Erdogan.
Lini një Përgjigje