Protestat masive në Shqipëri kundër projekteve korruptive shpërfaqin sërish rrezikun e madh të instrumentalizimit të kauzave legjitime vendase nga rrjetet e jashtme të influencës. Përballë skenarit të mirënjohur të “revolucioneve me ngjyra”, energjia e sinqertë e shoqërisë rrezikon të merret peng dhe të kthehet në një instrument të rivaliteteve gjeopolitike.
Kur njeriu ka përjetuar jo vetëm një revolucion me ngjyra në vendin e vet (Maqedoni, 2015-2016), por ka ndier edhe flladin e tij gjatë Euromaidanit në Ukrainë në vitin 2014, çdo shpërthim i ri revoltash ngjall skepticizëm.
Mjerisht, ky mosbesim rezulton thuajse gjithmonë i arsyeshëm. Rreth dy vite më parë, shkrova në të njëjtën linjë për protestat studentore në Serbi dhe më vonë për ato në Nepal. Problemi është ky: për ne që jetojmë në periferi, kur ke parë një “revolucion” të kësaj industrie, i ke parë të gjitha. Për fat të keq ose jo, përfundimet e tyre janë pothuajse identike: asgjë thelbësore nuk ndryshon pas suksesit të të ashtuquajturit revolucion.
Qëllimi i tij nuk ka qenë kurrë transformimi radikal, por ndryshimi i regjimit në shërbim të ndonjë aktori gjeopolitik. Shtetet e Bashkuara mbeten padyshim të pakonkurrueshme në këtë fushë, pavarësisht masave fillestare gjatë mandatit të dytë të Donald Trump-it për të frenuar mekanizmat e “ndryshimit të butë të regjimit’ përmes kthesave të lëvizjeve shoqërore në OJQ.
Megjithatë, makineria e vazhdon punën si zakonisht për sa kohë që prodhon rezultate, përfshirë këtu edhe destabilizimin e regjimeve jomiqësore. Çdo revolucion me ngjyra manifestohet brenda një konteksti specifik historik, kombëtar dhe shoqëror.
Kjo shpjegon konfuzionin fillestar dhe prirjen për të besuar se rasti yt është unik dhe autentik. Ky lloj vetëgënjimi është veçanërisht i pranishëm në qarqet intelektuale të majta.
Unë vetë hasa vështirësi të jashtëzakonshme për të botuar një artikull mbi kimerën e “Revolucionit Laraman” në Maqedoni.
Dy redaktorë të një reviste franceze refuzonin të besonin se ajo që përshkruaja nuk ishte një aksion kolektiv spontan. Çdo pretendim duhej dokumentuar me imtësi. Një faktor tjetër përcaktues është harresa e shpejtë.
Gjatë bisedave me kolegë të rinj nga Maribori dhe Novi Sadi, vura re se ata pothuajse nuk e mbanin mend fare përvojën maqedonase të një dekade më parë. Duket sikur nuk nxirret asnjë mësim nga e kaluara. Ndërsa ata flisnin plot entuziazëm për takimet dhe energjinë spontane të protestave rinore, unë s’mund të mos mendoja për zhgënjimin e pashmangshëm që pason.
Mekanizmi më delikat i revolucioneve me ngjyra (apo atyre klishe) nuk është shpikja e tyre, por përvetësimi i tyre strukturor. Rrënjët e pakënaqësisë janë legjitime, por instrumentalizimi i tyre politik është i projektuar nga jashtë. Gene Sharp, teoritë e të cilit mbi “luftën jo të dhunshme” u kthyen në manuale për revolucionet me ngjyra, i përshkroi këto taktika si një formë “jiu-jitsu politike”: kthimi i peshës së vetë regjimit kundër tij - por gjithmonë në shërbim të interesave gjeopolitike që nuk kanë asnjë lidhje me emancipimin lokal.
I njëjti model po zbatohet tani në Shqipëri, si reagim ndaj skemave të investimeve dhe korrupsionit ku janë të përfshirë anëtarë të familjes Trump, si dhe ndaj shfrytëzimit të burimeve natyrore, përfshirë habitatet e flamingove.
Zogu rozë është shndërruar në simbolin e një mobilizimi të gjerë qeveritar që kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit të një resorti luksoz prej 1.4 miliardë eurosh. Ky projekt, i lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, parashihet të ndërtohet në ekosistemin e mbrojtur ligatinor Vjosë-Nartë.
Pjesa më e vështirë në identifikimin e revolucioneve me ngjyra është pikërisht baza mbi të cilën ato ngrihen: ekzistenca e kauzave të vërteta. Këto pakënaqësi janë reale dhe nuk mund të shpiken artificialisht nga jashtë. Ajo që aktorët e jashtëm bëjnë me mjeshtëri, është pikasja e këtyre plagëve sociale (korrupsioni, varfëria, pabarazia, shtypja) për të ndërtuar mbi to një “avangardë revolucionare”.
Kam qenë vetë në atë pozicion. Në vjeshtën e vitit 2014, studentët e mi më kërkuan mbështetje për të mobilizuar komunitetin akademik gjatë takimeve studentore. Ka foto të mia nga ajo kohë, madje edhe me lot në sy, e prekur nga energjia e tyre.
Megjithatë, nuk u desh shumë kohë për të kuptuar se përpara se të vinin tek unë, ata kishin kaluar trajnime joformale nëpër rrjetet e financuara nga Sorosi. Por makineria ishte vënë tashmë në lëvizje. Lëvizja prodhoi produktin e saj politik: ardhjen në pushtet të Zoran Zaevit, i mbështetur nga faktorë të jashtëm, i cili përmbylli ndryshimin e emrit të vendit dhe hapi rrugën drejt NATO-s.
Sot, pjesëmarrësit e atij “revolucioni” maqedonas pothuajse nuk e kujtojnë më atë kohë. Zaevi kreu misionin politik që i ishte caktuar dhe u tërhoq në biznesin e tij privat. Modele të ngjashme shihen kudo. Srećko Horvat i përshkroi dikur tubimet studentore në Serbi si “jetimë gjeopolitikë”, një lëvizje ku orientimi përfundimtar mbeti i paqartë, përfshirë pyetjen se kush do të përfitonte nga ky ndryshim dhe drejt cilës linjë të politikës së jashtme do të anonin.
Në Shqipëri, kjo mjegullnajë është më pak e pranishme. Vendi njihet si prerazi pro-perëndimor, shpesh si një nga mbështetësit më entuziastë të SHBA-së në rajon. Në samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Shqipëria u vlerësua si pararojë e procesit të anëtarësimit.
Megjithatë, në një Perëndim të përçarë, po shtohen tundimet. Ashtu siç elitat e Beogradit ishin të gatshme të bënin lëshime të mëdha në projektet imobiliare të lidhura me Kushner-in, apo si udhëheqja e Republikës Srpska kërkoi afrim me rrjetet pro-Trump, llogari të ngjashme po bëhen edhe në Tiranë, siç e tregon edhe plani i debatueshëm i investimit në Ishullin e Sazanit.
Të jemi të qartë: shoqëria shqiptare ka çdo të drejtë të jetë e pakënaqur. Kultura e saj e solidaritetit dhe rezistencës është legjitime. Flamingot nuk janë shkaku i protestës, por shkëndija e saj simbolike - ashtu si tragjedia e Novi Sadit në Serbi u kthye në pikë ndezjeje.
Por edhe aty ku provat e drejtpërdrejta të koordinimit institucional janë të vështira për t’u faktuar, figura si Alex Soros kanë shfaqur hapur angazhim politik në orbitën e Partisë Demokrate amerikane, ndërsa rrjeti i gjerë i Sorosit është i rrënjosur prej kohësh në rajon. Tirana mbetet nyja rajonale e kësaj infrastrukture, e cila ka brumosur breza të tërë aktivistësh të orientuar drejt integrimit euroatlantik.
Epoka e revolucioneve thjesht spontane ka perënduar. Edhe kur mungojnë stimujt materialë si “sanduiçët dhe çaji” (si në Kiev në vitin 2014), lëvizjet moderne të protestës kërkojnë organizim, logjistikë, financim dhe një infrastrukturë profesionale komunikimi.
Protestat janë kthyer, në një farë mënyre, në një industri - të shtrenjta, të koordinuara dhe me një potencial radikal jetëshkurtër. Ato pasqyrojnë gjithnjë e më shumë përplasjet politike brenda vetë Perëndimit, sesa projekte autentike të emancipimit vendas.
Është e pamundur të mos duartrokasësh një lëvizje masive që ngrihet kundër një pushteti të korruptuar që shet vendin dhe që pretendon se mbron mjedisin, ekologjinë e madje edhe flamingot. Por kjo nuk duhet të na krijojë iluzionin se bëhet fjalë për një kthesë historike në Shqipëri (apo në Serbi, për të njëjtat arsye).
Ballkani mbetet një arenë ku fuqitë e mëdha - dhe fraksionet e tyre të brendshme - lajnë llogaritë dhe kryejnë transaksione në kurriz të rajonit. Prandaj, legjitimiteti i protestës nuk duhet ngatërruar me autonominë politike. Ballkani mbetet hapësira ku pakënaqësitë lokale gëlltiten nga rivalitetet e mëdha gjeopolitike perëndimore.
Siç këndonte dikur Gjorgje Ballashevic: “Parimi është i njëjtë, gjithçka tjetër janë nuanca!. Në analizë të fundit, ajo që e dallon përvetësimin strukturor nga mobilizimi shoqëror autentik nuk është ekzistenca e pakënaqësive reale (ato ekzistojnë kudo), por ekonomia politike e protestës: kush e financon, kush e organizon dhe interesave të kujt u shërben në finale.
Zemërimi i shoqërive ballkanike është i vërtetë. E tillë është edhe energjia e tyre… për aq kohë sa zgjat. Pa një organizim politik autonom dhe pa një distancë kritike nga infrastrukturat e jashtme të ndikimit, kjo energji rrezikon të kanalizohet sërish në riprodhimin e të njëjtit sistem, thjesht nën forma të reja simbolike. Flamingot do të fluturojnë tej. Strukturat do të mbeten.
Shënim: Biljana Vankovska është profesore e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Lini një Përgjigje