Policia ka zbardhur detaje nga plagosja e rëndë e ndodhur paraditen e sotme në Korçë. Bëhet me dije se një konflikt mes dy personave dyshohet ka përfunduar në përdorimin e thikës.
Sipas të dhënave paraprake, 54-vjeçari Gëzim Ramka dyshohet se ka goditur me thikë në qafë Rigels Janaqin, 40 vjeç, pas një sherri për motive të dobëta.
I plagosuri u dërgua fillimisht në spitalin e Korçës, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore po transportohet drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Burime bëjnë me dije se goditja ka prekur zonën cervikale të qafës, duke i rrezikuar jetën.
Ndërkohë, policia ka arrestuar autorin e dyshuar, i cili është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
"Rreth orës 11:30, në lagjen nr. 14, shtetasi G. R., rreth 54 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin R. J., rreth 40 vjeç. Shtetasi R. J. është transportuar në spital dhe është në kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë kanë kapur autorin e dyshuar, shtetasin G. R., dhe e kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje