TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Korrik 2026, 14:20

Akuzat nga zyrtarët e “VLEN”, Hita zbardh incidentin në kufi: Nuk u ndaluan, u kthyen vetë

Shkruar nga Pamfleti
Akuzat nga zyrtarët e “VLEN”, Hita zbardh incidentin në
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar ditën e sotme se ndaj deputetit të VLEN-it, Adnan Azizi dhe zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, nuk ka pasur asnjë urdhër ndalimi për hyrje në Shqipëri.

Sipas Hitës, tre personat që dispononin pasaporta diplomatike nuk janë penguar nga autoritetet kufitare shqiptare, por kanë zgjedhur vetë të mos e vijojnë udhëtimin, pasi personi që i shoqëronte nuk mundi të kalonte kufirin për shkak të pengesave ligjore.

“Në pikën kufitare janë paraqitur katër persona, tre prej të cilëve me pasaporta diplomatike. Atyre iu është bërë e ditur se mund të futen në Republikën e Shqipërisë, kurse një person që i shoqëronte i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi, nuk ka mundur të udhëtojë drejt Shqipërisë. Në këtë kuadër të tre personat nuk kanë pranuar të vazhdojnë dhe janë kthyer në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Hita.

Reagimi i kreut të Policisë së Shtetit erdhi pas pretendimeve të Lëvizjes VLEN, parti shqiptare pjesë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, se koordinatori i Grupit Parlamentar të saj, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani ishin ndaluar për rreth një orë në kufi pa marrë një shpjegim zyrtar, edhe pse kishin pasaporta diplomatike.

VLEN kërkoi sqarime nga autoritetet shqiptare, duke pretenduar se ndaj zyrtarëve ekzistonte një masë ndalimi për hyrje në Shqipëri, por pa iu komunikuar ndonjë vendim apo dokument zyrtar.

“Sipas informacioneve të komunikuara jozyrtarisht nga policia kufitare, ndaj tyre paska një ndalesë hyrjeje. Megjithatë, asnjë vendim, dokument apo arsyetim nuk u është bërë i ditur. VLEN kërkon nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë të informojnë opinionin publik nëse ekziston vërtet një masë e tillë. Nëse po, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për një veprim të tillë ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve institucionalë. Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime”, thuhet në deklaratën e VLEN.

Përplasja mes pretendimeve të VLEN-it dhe sqarimeve të Policisë së Shtetit vijon të ngrejë diskutime mbi procedurat e ndjekura në pikën kufitare dhe arsyet që çuan tre zyrtarët të mos vijonin udhëtimin drejt Shqipërisë.

hita zbardh incidentin në kufi: akuzat nga zyrtarët e “vlen

Lini një Përgjigje