
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka përfunduar një tjetër kontroll mjekësor në qendrën shëndetësore ushtarake Walter Reed, duke theksuar se ka kryer edhe një test njohës dhe se rezultatet kanë qenë të shkëlqyera.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se i nënshtrohet kontrolleve çdo gjashtë muaj dhe se ky është testi i tretë njohës që ka kryer, të cilin sipas tij e ka kaluar me sukses të plotë.
“Jam i vetmi president që e kam bërë këtë tri herë dhe gjithmonë i kam kaluar në mënyrë të përkryer”, deklaroi ai, duke shtuar se shumë persona në Uashington nuk do të arrinin të merrnin rezultate të tilla.
Pjesën më të madhe të reagimit të tij Trump ia kushtoi sulmeve ndaj dy gazetarëve të gazetës “New York Times”, Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, duke i sfiduar publikisht për testin njohës dhe duke kritikuar librin e tyre.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një kohë kur diskutimet mbi gjendjen e tij shëndetësore vijojnë të jenë të pranishme në debatin publik. Trump, 80 vjeç, i është nënshtruar kontrolleve të rregullta mjekësore, ndërsa rezultatet e plota të ekzaminimeve presidenciale zakonisht publikohen vetëm pasi miratohen nga Shtëpia e Bardhë.
Ndërkohë, kritikat dhe dyshimet mbi aftësitë e tij fizike dhe njohëse kanë vijuar edhe nga kundërshtarë politikë e figura publike, të cilët kanë ngritur pyetje mbi gjendjen e tij shëndetësore gjatë mandatit presidencial.
Lini një Përgjigje