Pas vdekjes së Khameneit, Teherani publikon listën e armiqve
Një përshkallëzim i ri në përplasjen mes Iranit dhe Perëndimit. Një media iraniane ka publikuar një të ashtuquajtur “listë të zezë” me figura të larta politike ndërkombëtare, të cilat i konsideron përgjegjëse për vdekjen e liderit suprem iranian, Ali Khamenei.
Në materialin e publikuar nga gazeta iraniane “Hamshahri”, në pronësi të Bashkisë së Teheranit, shfaqen imazhe dhe emra të disa prej liderëve më të rëndësishëm të Perëndimit. Në listë janë përfshirë presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i dorëhequr britanik Keir Starmer dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Posteri është publikuar në imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale, me elementë simbolikë kërcënues, ndërsa disa prej tyre shfaqen me uniforma portokalli si të burgosur ose me shenja sulmi ndaj tyre.
Krahas liderëve politikë, në listë janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe izraelitë, mes tyre sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretari i Shtetit Marco Rubio, komandanti i CENTCOM Brad Cooper dhe ambasadori amerikan në Izrael Mike Huckabee.
Nga pala izraelite përmenden ministri i Mbrojtjes Israel Katz, ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Eyal Zamir.
Publikimi vjen pas vdekjes së Ali Khameneit dhe mes deklaratave të forta nga udhëheqja iraniane për hakmarrje ndaj atyre që Teherani i akuzon si përgjegjës. Djali i Khameneit, Mojtaba Khamenei, ka bërë thirrje për “hakmarrje për gjakun e derdhur” të babait të tij.
Në një klimë të tensionuar, publikimi i këtyre imazheve ka shkaktuar reagime politike në vendet e prekura. Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani shprehu solidaritet me kryeministren Giorgia Meloni, duke deklaruar se ajo nuk do të frikësohet nga kërcënimet.
Lista e publikuar nga media iraniane shihet si pjesë e luftës së ashpër politike dhe propagandistike mes Teheranit dhe vendeve që Irani i konsideron armiq pas përplasjeve të fundit gjeopolitike. /Pamfleti
Lini një Përgjigje