Çështja lidhet me disa raportime të “New York Times” mbi çështje të sigurisë së avionit të ri presidencial, një Boeing 747-8 i dhuruar nga Katari dhe i futur së fundmi në flotën presidenciale amerikane...
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump është përfshirë në një tjetër përplasje me median amerikane, pasi katër gazetarë të gazetës prestigjioze “New York Times” janë thirrur të dëshmojnë përpara një jurie federale në Manhattan, në kuadër të një hetimi për rrjedhjen e informacioneve që lidhen me avionin e ri presidencial Air Force One.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka lëshuar të premten thirrje zyrtare për gazetarët Julian E. Barnes, Eric Lipton, Tyler Pager dhe Eric Schmidt, duke u kërkuar atyre të paraqiten javën e ardhshme përpara një jurie federale.
Sipas “New York Times”, disa prej këtyre thirrjeve janë dorëzuar drejtpërdrejt në banesat e gazetarëve nga agjentë federalë. Dokumentet e hetimit nuk përcaktojnë në detaje objektin e çështjes, por bëjnë të ditur se hetimi lidhet me dyshime për shkelje të mundshme të ligjit penal federal.
Çështja lidhet me disa raportime të “New York Times” mbi çështje të sigurisë së avionit të ri presidencial, një Boeing 747-8 i dhuruar nga Katari dhe i futur së fundmi në flotën presidenciale amerikane.
Raportimi që shkaktoi nisjen e hetimit zbulonte se presidenti Donald Trump udhëtoi me avionin e ri Air Force One gjatë samitit të NATO-s në Turqi, por për kthimin e tij përdori avionin e vjetër presidencial.
Sipas gazetës amerikane, ndryshimi u bë pas ndërhyrjes së Shërbimeve Sekrete, pasi avioni i ri nuk ishte pajisur ende me të gjitha sistemet e avancuara të mbrojtjes që ka avioni tradicional presidencial, përfshirë aftësitë kundër raketave dhe elementë të tjerë kritikë të sigurisë.
Raporti bazohej në burime anonime, të cilat pretendohej se kishin dhënë informacione të ndjeshme për sigurinë kombëtare.
Administrata Trump ka hedhur poshtë pretendimet për probleme me sigurinë e avionit të ri presidencial. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Air Force One i ri është një avion modern, i pajisur me protokollet më të larta të sigurisë për mbrojtjen e presidentit dhe stafit të tij.
Sipas administratës amerikane, ndryshimi i mënyrës së udhëtimit të presidentit është pjesë e praktikave të zakonshme të “çorientimit dhe mashtrimit” ndaj kërcënimeve të mundshme dhe nuk lidhet me mangësi teknike të avionit.
Thirrjet ndaj gazetarëve kanë shkaktuar reagim të fortë nga “New York Times”, e cila e ka cilësuar këtë veprim si një sulm serioz ndaj lirisë së shtypit.
Këshilltari kryesor ligjor i gazetës, David McCraw, tha se prania e agjentëve federalë në banesat e gazetarëve “duhet të trondisë çdo amerikan që beson në Kushtetutë dhe në lirinë e shtypit që ajo mbron”.
Gazeta ka bërë të ditur se do t’i kundërshtojë ligjërisht këto thirrje, duke argumentuar se detyrimi i gazetarëve për të zbuluar burimet konfidenciale dëmton aftësinë e medias për të informuar publikun për çështje me interes të lartë publik.
Kjo çështje shihet si një tjetër episod në përplasjen e vazhdueshme mes administratës Trump dhe mediave të mëdha amerikane për publikimin e informacioneve të klasifikuara ose të ndjeshme për sigurinë kombëtare.
Më herët gjatë vitit, thirrje të ngjashme u ishin dërguar edhe gazetarëve të “Washington Post” dhe “Wall Street Journal”, por më pas ato ishin tërhequr.
Ndërkohë, një hetim i FBI-së ndaj një gazetari tjetër në një çështje të ndryshme për rrjedhje informacioni ka shtuar shqetësimet e organizatave për lirinë e medias në Shtetet e Bashkuara.
Lini një Përgjigje