Kualifikimi i Spanjës në gjysmëfinalet e Botërorit ka krijuar një situatë të ndërlikuar për kalendarin e La Liga-s. Edhe pse kampionati spanjoll është planifikuar të nisë më 14 gusht, ngarkesa e futbollistëve me kombëtaret dhe detyrimet kontraktuale ka detyruar organizatorët të shtyjnë javën e parë të sezonit.
Sipas kontratës kolektive të AFE-së (Shoqata e Futbollistëve Spanjollë), çdo lojtar duhet të përfitojë 21 ditë pushim të detyrueshëm mes dy sezoneve. Kjo do të thotë se futbollistët e angazhuar në fazat finale të Botërorit nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjet e para të kampionatit.
Fillimisht, La Liga kishte vendosur të shtynte vetëm dy takime: Barcelona-Atletik Bilbao dhe Real Madrid-Real Sociedad, pasi këto skuadra kanë numrin më të madh të lojtarëve të grumbulluar me kombëtaret. Megjithatë, suksesi i Spanjës ka ndryshuar planet.
Tashmë janë shtyrë edhe sfidat Selta Vigo-Osasuna dhe Atletiko Madrid-Malaga, për shkak të lojtarëve të përfshirë me kombëtaren spanjolle. Në rrezik janë edhe ndeshjet Valencia-Betis dhe Sevija–Rajo Vajekano, të cilat mund të pësojnë të njëjtin fat.
Nëse situata mbetet e pandryshuar, vetëm katër ndeshje do të mund të zhvillohen në fundjavën e 14 gushtit: Alavesh-Getafe, Deportivo La Korunja-Elçe, Espanjol–Levante dhe Rejsing Santnader-Vijarreal.
Për këtë arsye, po fiton terren ideja që e gjithë java e parë e La Liga-s të shtyhet dhe të zhvillohet mes javës së dytë dhe të tretë të kampionatit, konkretisht më 26 ose 27 gusht. Kjo mundësi është pranuar edhe nga presidenti i La Liga-s, Havier Tebas, i cili po shqyrton alternativat për të shmangur një nisje të fragmentuar të sezonit.
Lini një Përgjigje