Laçi vijon me ritëm përgatitjet për sezonin e ri dhe jep sinjale pozitive në testet miqësore. Kurbinasit kanë regjistruar fitoren e dytë radhazi, teksa pas Besës kanë mposhtur edhe Vorën me rezultatin 4-1.
Sfida e zhvilluar në stadiumin e Laçit nisi në orën 17:30 dhe skuadra e drejtuar nga Qatip Osmani tregoi efikasitet që në pjesën e parë. 45 minutat e para u mbyllën me avantazhin 2-1 për vendasit, falë golave të Amadu Traores dhe Sokol Kiqinës.
Në pjesën e dytë, Laçi thelloi avantazhin me dy gola të tjera. Gjon Melakuqi dhe Sandër Kalaj ishin autorët e golave që vulosën suksesin 4-1 të kurbinasve.
Përtej rezultatit, miqësoret po shërbejnë si një mundësi e mirë për të dyja skuadrat për të testuar lojtarët dhe për t’u dhënë hapësira elementëve të rinj. Si Laçi, ashtu edhe Vora, njihen për investimin te talentet dhe afrimin e futbollistëve të rinj.
Kurbinasit po përgatiten për rikthimin në Abissnet Superiore, aty ku synojnë të jenë protagonistë në sezonin e ri.
Lini një Përgjigje