TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Korrik 2026, 07:26

Topi preku kamerën "e qiellit", por goli i Bellingham u quajt i rregullt; shpërthejnë debatet në Botëror (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Topi preku kamerën "e qiellit", por goli i Bellingham u quajt i
Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken proteston te arbitrat e ndeshjes

Goli i barazimit 1-1 i realizuar nga Jude Bellingham në fund të pjesës së parë të sfidës mes Anglisë dhe Norvegjisë (45+2) është kthyer në qendër të debatit, pasi sipas interpretimit të rregullave ai duhej të ishte anuluar me ndërhyrjen e VAR-it.

Mesfushori anglez përfitoi nga një moment hutimi në mbrojtjen norvegjeze, mori kontrollin e topit, depërtoi nga krahu i majtë dhe e dërgoi atë në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën për Anglinë. Megjithatë, aksioni që çoi te goli duhej të ishte ndërprerë disa çaste më parë.

Gjithçka lidhet me një episod të ndodhur gjatë zhvillimit të aksionit, kur topi, pas një goditjeje të lirë të ekzekutuar nga portieri norvegjez Nyland dhe ndërsa kontrollohej nga një futbollist anglez, preku kabllon e kamerës ajrore, të njohur si "spider-cam", e vendosur mbi fushë.

Rregullorja e futbollit parashikon që në raste të tilla loja duhet të ndërpritet menjëherë dhe të rifillojë me top në tokë nga arbitri. Edhe ish-arbitri i Premier League, Mark Clattenburg, tashmë analist për FOX Sports, theksoi se në këtë rast VAR duhej të kishte ndërhyrë.

"VAR mund të ndërhyjë nëse prekja e topit me kabllon e kamerës është pjesë e një episodi të rishikueshëm. Duke qenë se aksioni që solli golin nisi pas këtij kontakti, sistemi duhej ta evidentonte situatën dhe goli të anulohej", deklaroi Clattenburg.

Edhe pse futbollistët e Norvegjisë protestuan ashpër, arbitrat nuk e konstatuan incidentin në fushë, ndërsa VAR nuk e korrigjoi vendimin. Si rrjedhojë, goli i Bellingham mbeti në fuqi, duke nxitur polemika të shumta pas përfundimit të takimit.

Më vonë, FIFA reagoi për këtë episod, duke sqaruar se pas verifikimit të të dhënave nuk ishte regjistruar asnjë sinjal nga sensori që monitoron kontaktin e topit. Për këtë arsye, sipas organizmit, sistemi VAR nuk u aktivizua.

Lini një Përgjigje