Xhud Belingam hero i Anglisë. “Tre Luanët” përmbysin Norvegjinë në shtesë dhe shkojnë në gjysmëfinale për herë të katërt në historinë e tyre
Anglia mposht në shtesa Norvegjinë dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Sfida e luajtur në Miami përfundoi me fitoren e “3 Luanëve” me rezultatin 1-2.
Nordikët kaluan të parët në avantazh. Në minutën e 36-të, Andreas Shjelderup zhbllokoi rezultatin. Nga krahu i majtë, ai realizoi me një goditje spektakolare, duke e dërguar topin në këndin e largët të portës së Pikford për rezultatin 1-0.
Pas golit, ritmi i ndeshjes u rrit dhe Anglia shtoi presionin. Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, më konkretisht në minutën e 45+2, “3 Luanët” arritën të barazonin me një tjetër realizim të jashtëzakonshëm.
Xhud Belingam mori një pasim nga Gordon, kontrolloi në mënyrë perfekte topin, depërtoi mes dy kundërshtarëve dhe, nën presion, goditi bukur me të majtën, duke vendosur baraspeshën 1-1. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë e ndeshjes.
Pjesa e dytë nisi vrullshëm për Norvegjinë. Në minutën e 55-të, skuadrës së drejtuar nga Stale Solbaken iu anulua goli I avantazhit. Pas një karamboli në zonë, topi shkoi te Hegem i cili e dërgoi në rrjetë. Gjithsesi, pas ndërhyrjes së VAR-it, goli u anulua pas një faulli të Haland ndaj Xhon Stons.
90 minutëshi nuk prodhoi fitues dhe sfida iu drejtua 30 minutave shtesë. Në minutën e 93, Roxhers lëshoi një predhë nga distanca, me Niland që nuk e ndali si duhej topin dhe Belingham e shtyu drejt rrjetës, duke i dhënë kualfikimin britanikëve.
Në gjysmëfinale, Anglia do të ndeshet me fituesin e çiftit Argjentinë-Zvicër.
Lini një Përgjigje