Një i afërm i Aleksandër Koçekut, i cili u vra këtë të shtunë në Shkodër, ka folur për mediat lidhur me ngjarjen e rëndë, duke deklaruar se viktima kishte një konflikt të njohur prej kohësh nga autoritetet dhe opinioni publik.
Mark Koçeku tha se nuk ka dyshime për ndonjë konflikt tjetër, ndërsa theksoi se Aleksandër Koçeku ishte ruajtur, por për shkak të nevojës për të punuar dhe siguruar jetesën, i ishte dashur të lëvizte.
“Konfliktin e dinë shteti, e dinë gjithkush. Është ruajtur, por çfarë të bëjë, duhet të ushqehet. Ne kemi një konflikt që e dinë. Kemi një person në burg që e kemi pasur në gjak. Të gjithë e dinë ngjarjen. Ai punonte te shpia, ka pasur një furrë buke”, tha ai.
Ngjarja e kësaj të shtune dyshohet se lidhet me hakmarrjen, ndërsa emri i Aleksandër Koçekut ka qenë më herët në dosjen e një tjetër ngjarjeje të rëndë kriminale në Shkodër.
Koçeku ishte mes personave të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, i cili u ekzekutua në shkurt të vitit 2025 në fshatin Guci e Re të Shkodrës.
Vetëm pak orë para vrasjes së Aleksandër Koçekut, Prokuroria e Shkodrës vendosi të zgjasë me tre muaj afatin e hetimeve për këtë dosje. Për vrasjen e Pavlin Prekës janë arrestuar Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa ndaj Aleksandër Koçekut janë ngritur dyshime për përfshirje në ngjarje.
Lini një Përgjigje