
Një qytetar i moshuar, i cili ka marrë pjesë në protestën e 42-të kundër qeverisë, ka ngritur shqetësime për situatën në zonën e Saukut të Vjetër. Ai ka deklaruar se banorët përballen prej muajsh me probleme me furnizimin me ujë.
Sipas tij, uji në zonë ka erë të rëndë dhe ka shkaktuar probleme shëndetësore për banorët. Qytetari deklaroi se pavarësisht ankesave të bëra në institucione, problemi nuk ka marrë një zgjidhje.
Protestuesi kritikoi gjithashtu gjendjen në spitale, duke deklaruar se gjatë një trajtimi mjekësor është detyruar të blejë vetë ilaçet për shkak të mungesës së tyre. I moshuari akuzoi edhe zyrat shtetërore për mosreagim, duke thënë se ato janë të mbushura me persona që, sipas tij, nuk u japin zgjidhje qytetarëve.
“Jam në protestë për të gjitha të këqijat që po i bëhen Shqipërisë. Kam qenë në spital sepse jemi helmuar nga uji në zonën e Saukut të Vjetër. Uji mban erë pusetë prej 6 muajsh dhe askush nuk ka marrë masa.
Në spital pagova 10 mijë lekë ilaçe, sepse nuk kishte ilaçe dhe u detyrova t’i blija vetë. Në zyra shkon dhe nuk gjen zgjidhje, janë mbushur me patronazhistë.
Kjo është arsyeja pse jam sot në protestë”, tha qytetari.
Protesta e 42-të në Tiranë vijon me marshimin e qytetarëve drejt Kryeministrisë, ndërsa pjesëmarrësit shprehen se do të vazhdojnë tubimet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje