TAGS-AT E JAVËS

Sport11 Korrik 2026, 20:32

Jurgen Klop arrin marrëveshjen me Gjermaninë, nis cikli i ri me pretendime të mëdha

Shkruar nga Pamfleti
Jurgen Klop arrin marrëveshjen me Gjermaninë, nis cikli i ri me
Jurgen Klop

Jurgen Klop është shumë pranë emërimit si trajneri i ri i kombëtares së Gjermanisë. Sipas raportimeve të "Bild", palët kanë arritur një marrëveshje paraprake gjatë një takimi të zhvilluar më 10 korrik në New York, ku presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Nojendorf, zëvendëspresidenti Hans-Hoakim Vacke, vetë Klop dhe agjenti i tij, Marc Kosicke, diskutuan detajet e bashkëpunimit.

Hapi i radhës mbetet miratimi formal i kontratës nga organet drejtuese të DFB-së, përpara se marrëveshja të bëhet zyrtare.

Sipas burimeve, Klop pritet të firmosë një kontratë deri në përfundim të Kupës së Botës 2030. Ai do të drejtojë Gjermaninë gjatë gjithë ciklit kualifikues për “EURO 2028”, si edhe në Botërorin e vitit 2030, që do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku. Trajneri gjerman pritet të përfitojë një pagë prej rreth 7 milionë eurosh në sezon, pak më të lartë se ajo e paraardhësit të tij, Julian Nagelsman.

Pengesa e fundit, kontrata me Red Bull

Përpara se DFB të zyrtarizojë emërimin, Klop duhet të zgjidhë kontratën që e lidh me Red Bull, ku aktualisht mban postin e Shefit të Operacioneve Futbollistike.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Oliver Minclaf, pritet të udhëtojë në New York për të negociuar kushtet e largimit me trajnerin dhe stafin e tij. Marrëdhëniet mes Minclaf dhe Federatës Gjermane nuk kanë qenë të mira vitet e fundit. Në vitin 2023 ai u emërua pjesë e "Këshillit të të Mençurve", një grup i krijuar për të ndihmuar ringritjen e kombëtares, së bashku me emra të njohur si Rudi Fëler, Karl-Heinc Rumenige, Oliver Kahn dhe Matias Samer. Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë ai u largua nga ky grup mes polemikave, duke deklaruar se sugjerimet e tyre nuk ishin marrë asnjëherë në konsideratë.

Pavarësisht kësaj, Minclaf ishte në dijeni të dëshirës së Klop për t'u rikthyer në pankinë vetëm në rast se do të merrte një ofertë nga kombëtarja gjermane.

Nuk ka klauzolë, por një marrëveshje verbale

Për vite me radhë mediat kanë raportuar se Klop kishte një klauzolë në kontratën me Red Bull që i lejonte largimin nëse do të thirrej nga Gjermania. Megjithatë, Minclaf e ka mohuar vazhdimisht ekzistencën e një klauzole të tillë.

Sipas tij, mes palëve ekziston vetëm një marrëveshje verbale, e bazuar në besim, që i mundëson Klop të largohet pa penalitete në rast se merr drejtimin e kombëtares. Në këmbim, ai do të vazhdojë të mbetet ambasador i markës Red Bull për aktivitetet komerciale.

Reagimi i Federatës Gjermane

Edhe DFB ka konfirmuar zyrtarisht zhvillimin e takimit me Klop përmes një komunikate.

"Presidenti i DFB-së dhe zëvendëspresidenti Hans-Hoakim Vacke zhvilluan në New York bisedimet e para të detajuara me Jurgen Klop lidhur me mundësinë e emërimit të tij si trajner i kombëtares gjermane. Gjatë takimit konstruktiv u arrit një mirëkuptim për pikat kryesore të një kontrate të mundshme. Bisedimet do të vazhdojnë javën e ardhshme dhe të dyja palët besojnë se, në varësi të marrëveshjes me Red Bull, negociatat mund të përfundojnë me sukses", thuhet në njoftimin e Federatës Gjermane.

jurgen klop kombëtarja e gjermanisë

Lini një Përgjigje