TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Korrik 2026, 20:10

Dita e 42-të e protestës, aktivistja: Shqiptarët treguan se nuk e meritojnë Edi Ramën kryeministër

Shkruar nga Pamfleti
Dita e 42-të e protestës, aktivistja: Shqiptarët treguan se nuk e
Vijon protesta

Edhe në ditën e 42-të të protestës qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike, qindra qytetarë u mblodhën përpara Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesën që e cilësojnë të panegociueshme: largimin e kryeministrit Edi Rama. Pas marshimit nga sheshi “Skënderbej”, protestuesit mbushën bulevardin përpara godinës së qeverisë, ku vijuan fjalimet dhe thirrjet kundër ekzekutivit.

Një nga fjalimet më të forta të mbrëmjes u mbajt nga aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila deklaroi se protesta 42-ditore ka rrëzuar, sipas saj, mitin se shqiptarët nuk dinë të bashkohen dhe të reagojnë për të drejtat e tyre.

Në 36 vjet punuan për të na mësuar se jemi popull i pacivilizuar, që nuk formojmë dot shtet, që nuk revoltohemi dhe nuk bëhemi dot bashkë. Për 36 vite na rraskapitën, na lanë pa arsim dhe na quajtën kriminelë. Ajo që ka ndodhur u përmbys për 42 ditë. Shoqëria shqiptare doli e gjitha në rrugë në solidaritet. Treguam se jo çdo popull meriton qeverinë që ka. Shoqëria shqiptare nuk e meriton Edi Ramën kryeministër dhe Belinda Ballukun zëvendëskryeministre”, u shpreh ajo.

Vatnikaj tha se protesta ka dëshmuar se qytetarët janë të aftë të organizohen dhe të artikulojnë kërkesat e tyre për një Shqipëri ndryshe.

Në 42 ditë kemi treguar se dimë të artikulohemi dhe se mund të krijojmë një Shqipëri të re, pa hajdutë në krye të shtetit. Kjo nuk ndodh vetëm në Tiranë. E keni parë sesi janë organizuar Elbasani, Korça dhe Lezha. E keni parë sesi janë organizuar shqiptarët në çdo cep të Shteteve të Bashkuara dhe Europës?”, tha ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, aktivistja u shpreh se as temperaturat e larta të verës dhe as sezoni turistik nuk e kanë zbehur vendosmërinë e protestuesve.

Ata menduan se Botërori do të na mposhtte, se vapa dhe pushimet i kemi më të shtrenjta se demokracinë. Por ne, si ditën e parë, jemi këtu duke kërkuar vetëm një gjë: Rama, jep dorëheqjen”, deklaroi Vatnikaj, mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të protestuesve.

Protesta ka hyrë tashmë në ditën e 42-të radhazi dhe organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë çdo mbrëmje deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke këmbëngulur se lëvizja tashmë ka tejkaluar kauzën fillestare të Zvërnecit dhe është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe sistemit politik.

Lini një Përgjigje