Në fund të sezonit të kaluar, në të gjithë Evropën ishin djegur 228 mijë hektarë. Këtë vit janë djegur tashmë 155 mijë hectare. Nga tani deri në gjysmën e dytë të gushtit presim një rritje të mëtejshme thonë ekspertët
Kur nuk kemi mbërritur ende në mesin e korrikut, vapa e madhe e ka tharë tokën. Gjethet janë rrudhur pas tre valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit. Me temperatura prej 35 gradësh e më shumë, që prej javësh nuk largohen nga Evropa Perëndimore, mjafton një shkëndijë e vogël që të ndizet një zjarr.
“Në shumë zona sot ekzistojnë kushtet për shpërthimin e zjarreve të mëdha pyjore”, thotë Fernando Sedano, inxhinier pyjor spanjoll që merret me vlerësimin e rrezikut të zjarreve në Qendrën e Përbashkët Kërkimore (Joint Research Center) të Bashkimit Evropian në ISPRA, pranë Varezes, Itali.
Tokë e tharë, temperatura të larta dhe bimësi pa lagështi. Këta janë përbërësit e të ashtuquajturit “efekti i barutit”. “Kur një zjarr ka shumë material djegës në dispozicion, ai përhapet me shpejtësi dhe prodhon aq shumë nxehtësi, saqë krijon erërat e veta, retë e veta, madje edhe stuhitë e veta”, shpjegon më tej Sedano.
“Në atë moment ai bëhet i pakontrollueshëm dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm. Rrymat e ajrit e zhvendosin me shpejtësi dhe në mënyrë të paparashikueshme. E vetmja gjë që mund të bëhet është të tërhiqesh, të presësh derisa të digjet bimësia dhe të ulen flakët”, shton ai.
Portugalia, Pirenejtë, Franca jugore, Katalonja, Kroacia, Shqipëria. Prej ditësh zjarrfikësit në gjysmën e Evropës po përballen me zjarre të pakontrollueshme, disa prej të cilëve përfshijnë mijëra hektarë dhe kërkojnë angazhimin e deri në një mijë zjarrfikësve.
Në Piemonte, Savoja dhe në Pirene, flakët janë ngjitur mbi 1.000 metra lartësi. Valët e të nxehtit dhe efekti “barut”, kanë bërë që fillimi i këtij sezoni të kujtojë statistikat e vitit 2025, vitit më të zi, kur në Evropë u dogj një sipërfaqe rekord.
Në fund të sezonit të kaluar ishin djegur 228 mijë hektarë në 1.182 zjarre të ndryshme. Këtë vit janë djegur tashmë 155 mijë hektarë në 1.057 zjarre. Mesatarja e 20 viteve të fundit në Evropë është 100 mijë hektarë të djegur dhe 476 zjarre.
Kjo do të thotë se numri i zjarreve është më shumë se dyfishuar, ndërkohë që ende nuk kemi arritur mesin e korrikut. Zona që aktualisht konsiderohet me rrezikun më të lartë përfshin Portugalinë, Spanjën dhe Francën Jugore, por shtrihet edhe në të gjithë gadishullin italian.
“Kulmi i sezonit të zjarreve në Itali sapo ka filluar. Nga tani e deri në gjysmën e dytë të gushtit presim një rritje eksponenciale të zjarreve”, shpjegon Roberto Inghilesi, drejtues i Qendrës Operative të Monitorimit Mjedisor në ISPRA (Instituti i Lartë për Kërkimin dhe Mbrojtjen e Mjedisit).
“Për momentin jemi në të njëjtat nivele si vitin e kaluar. Shpresojmë që situata të mbetet kështu dhe të mos përfundojë më keq...”, shprehet ai. Duke pasur parasysh se viti 2025 dogji një sipërfaqe më shumë se dyfishin e mesatares evropiane, kjo shpresë nuk është aspak qetësuese.
“Deri tani në Itali nuk kemi pasur zjarre gjigante si ato në Gadishullin Iberik. Megjithatë, fakti që po shohim zjarre kaq herët në Piemonte është diçka e pazakontë”, vazhdon Inghilesi.
“Po flisja me disa zjarrfikës të angazhuar në atë front”, tregon Sedano, i cili jeton jo shumë larg zonës. “Më thoshin se zakonisht, në këtë periudhë të vitit, ata zhvendosen me mjete dhe avionë drejt jugut”, thekson ai.
Pikërisht drejt jugut do të zhvendoset edhe vala e të nxehtit gjatë javës së ardhshme, duke goditur Siçilinë, Kalabrinë dhe Puljan, rajonet që zakonisht janë më të goditura nga zjarret.
“Në Evropë, Franca, me 387 kilometra katrorë sipërfaqe të djegur, ka arritur tashmë nivelet më të larta për këtë periudhë të vitit”, vëren Inghilesi duke iu referuar statistikave.
Etapa e tretë e garës çiklistike “Tour de France” u zhvillua pa praninë e publikut, i ndaluar për shkak të një zjarri prej 2.000 hektarësh që po digjte pyje dhe shkurre pranë Pireneve. “Spanja ka deri tani 560 kilometra katrorë të djegur. Nuk është një rekord, por është më shumë se dyfishi i mesatares së kësaj periudhe, që është 250 kilometra katrorë. Madje edhe Gjermania ka regjistruar 20 kilometra katrorë territor të djegur, një shifër shumë e pazakontë për këtë vend”, deklaron Inghilesi.
Sedano nuk dëshiron të bëjë parashikime për të gjithë vitin 2026. Megjithatë, ai pranon që kushtet këtë vit janë ekstreme. Dy valët e të nxehtit në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut pasuan njëra-tjetrën pothuajse pa ndërprerje. Efekti i tyre u grumbullua dhe bëri që nga toka të avullonte një sasi e madhe uji.
“Bimësia e djegur këtë vit ka të ngjarë të rigjenerohet. Por aftësia e pyjeve për t’u rilindur nuk është e pafundme. Kur zjarret vazhdojnë të godasin vazhdimisht të njëjtat rajone, është e mundur që një pyll të mos arrijë më të rikthehet në gjendjen e mëparshme”, paralajmëron Inghilesi./Përshtati "Pamfleti", nga “La Repubblica.it”
Dhe ky sht,a pallosh në vend të avionit zjarrfikës ja fal 4 .ilion ze,akut. Dhëntë zoti dhe ka ferr që ta paguaj. Paa shpine ka mallkimin e një Ķombi. Monstra.