Ish-prokurori Ervin Karanxha ka analizuar situatën e sigurisë dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke marrë shkak nga ngjarjet kriminale të ndodhura së fundmi.
Sipas Karanxhës, vonesat në proceset gjyqësore dhe mosfunksionimi efektiv i organeve të ndjekjes penale kanë krijuar një klimë mosbesimi te qytetarët, duke ndikuar edhe në përshkallëzimin e konflikteve.
"Drejtësia e vonuar po ushqen mungesën e besimit. Problemet që nuk marrin zgjidhje në kohë, sidomos konfliktet e pronësisë dhe çështjet e mbartura prej vitesh, në disa raste përfundojnë në ngjarje të rënda kriminale", u shpreh ai.
Ish-prokurori theksoi se funksionimi normal i institucioneve të drejtësisë është thelbësor për parandalimin e kriminalitetit.
"Duhet të funksionojnë organet e ndjekjes penale. Personat që ndiqen penalisht duhet të shpallen fajtorë dhe të dënohen, sepse nëse kjo nuk ndodh, ngjarjet shkojnë deri në vrasje", deklaroi Karanxha.
Duke komentuar reformën në drejtësi, ai shprehu rezerva për rezultatet e saj, duke argumentuar se qytetarët vijojnë të përballen me procese të gjata gjyqësore.
"Për çfarë u bënë reformat? Po na mbeten reformat dhe gjithçka tjetër po na mbetet propagandë. E vërteta është krejt ndryshe", tha ish-prokurori.
Sipas Karanxhës, përmirësimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe shkurtimi i afateve të shqyrtimit të çështjeve mbeten elementë kyç për rritjen e besimit të qytetarëve te institucionet dhe për parandalimin e konflikteve që mund të përshkallëzohen në ngjarje kriminale.
Lini një Përgjigje