
Sot mbahet dita e 43-të e protestës qytetare. Një qytetare e ardhur nga Italia mbajti një fjalim përpara Kryeministrisë, ku ngriti akuza ndaj klasës politike lidhur me trajtimin e ish-pronarëve dhe të përndjekurve politikë.
Ajo tha se është pjesë e një familjeje të persekutuar dhe se, megjithëse ka ndërtuar jetën në Itali, vijon të ndjekë zhvillimet në Shqipëri. Sipas saj, familja e saj endet prej rreth 30 vitesh në procese gjyqësore për çështjet e pronës. Protestuesja akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se nuk mbajti premtimet ndaj ish-pronarëve dhe të përndjekurve, ndërsa kritikoi edhe qeverinë e drejtuar nga Edi Rama, duke e cilësuar sistemin aktual si të korruptuar.
Në fund të fjalës së saj, ajo shprehu pakënaqësi edhe për mënyrën se si, sipas saj, kryeministri sillet me qytetarët. Protestuesja deklaroi se nuk kërkon burgosjen e Ramës dhe Berishës, por sekuestrimin e të gjitha pasurive të tyre.
“Vij nga Italia. U largova dhe ndërtova jetën time në Itali. Zemrën e kam këtu si gjithë shqiptarët. Vij nga një familje e persekutuar. Kjo qeveri është e korruptuar. Berisha gënjeu të gjithë të persekutuarit dhe ish-pronarët dhe nuk u dha pasuritë e veta. Kemi 30 vite nëpër gjyqe që nga Berisha dhe tani me sistemin më të korruptuar të Edi Ramës. Një kryeministër që merret me njerëzit personalisht, çfarë mund të presim nga këta? Unë nuk dua t’i shoh në burg Ramën dhe Berishën, por të merren zvarrë dhe t’u merren gjithë pasuritë. T’u sekuestrohen gjithë pasuritë!”, tha ajo.
Lini një Përgjigje