25 gëzhoja automatiku, të gjitha të qitura nga e njëjta armë, janë gjetur dhe sekuestruar në vendin ku u vra Aleksandër Koçeku në fshatin Lin, në zonën e Karmës së Kirit, përgjatë aksit rrugor Kir–Prekal. Ishte një kalimtar i rastësishëm ai që ka vënë re automjetin ku ndodhej viktima dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Nga verifikimet paraprake të grupit hetimor dyshohet se autori ose autorët i kanë ngritur pritë 40-vjeçarit dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku. Mësohet se viktima lëvizte me kujdes për shkak të frikës nga një hakmarrje e mundshme dhe punonte në një furrë buke.
Hetuesit kanë nisur marrjen dhe administrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë përgjatë rrugës që ka përshkuar Aleksandër Koçeku, edhe pse në zonën ku ndodhi atentati nuk ka kamera, një fakt që e bën më të vështirë zbardhjen e ngjarjes.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, pista kryesore ku po përqendrohen hetimet lidhet me një ngjarje të mëparshme kriminale, konkretisht me vrasjen e Angjelin Shkambit në dhjetor të vitit 2017.
Në atë kohë, vëllai i viktimës së sotme, Artan Koçeku, dyshohet se e qëlloi Shkambin me 10 plumba, pasi e kishte thirrur më parë në një takim.
Sipas dosjes hetimore të asaj periudhe, konflikti mes tyre lidhej me një borxh prej 40 mijë eurosh, por edhe me një çështje nderi, pasi viktima kishte pasur një lidhje me motrën e vëllezërve Koçeku. Për këtë ngjarje, Artan Koçeku po vuan dënimin me burg.
Familjarët e Aleksandër Koçekut kanë deklaruar se dyshojnë se ekzekutimi i tij mund të jetë kryer për motive hakmarrjeje, duke e lidhur ngjarjen me vrasjen e ndodhur në vitin 2017.
Kushëriri i viktimës, Mark Koçeku, është shprehur se familja e tyre është në gjakmarrje që prej vrasjes së Angjelin Shkambit dhe se Aleksandër Koçeku ishte i kujdesshëm në lëvizjet e tij për shkak të frikës nga një akt hakmarrjeje.
Ndërkohë, Aleksandër Koçeku rezultonte edhe person nën hetim në dosjen për vrasjen e Pavlin Prekës, ngjarje e ndodhur vitin e kaluar. Prokuroria e Shkodrës, pak ditë më parë, ka zgjatur me tre muaj afatet e hetimit për këtë çështje.
Sipas organit të akuzës, Koçeku dyshohet se ka qenë i përfshirë, së bashku me Vasel Koçekun dhe Klaudio Lisajn, në organizimin dhe realizimin e vrasjes së 19-vjeçarit Pavlin Preka në shkurt të vitit 2025. Sipas hetimeve, motivi lidhej me pretendimin se Preka po planifikonte grabitjen e vajzës së Vasel Koçekut për t'u fejuar me të, edhe pse ajo nuk ishte dakord.
Policia dhe Prokuroria vijojnë punën hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorit ose autorëve të dyshuar për vrasjen e Aleksandër Koçekut.
Lini një Përgjigje