
Tensioni i lartë i gjakut nuk po prek më vetëm moshat e mëdha. Sipas mjekëve, vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e hipertensionit edhe te të rinjtë, madje janë evidentuar pacientë edhe në moshën 18-19 vjeç.
Mjeku kardiolog Taulant Gishto shprehet se hipertensioni është kthyer në një sëmundje të zakonshme në të gjitha grupmoshat, ndërsa nënvizon se faktorët kryesorë lidhen me mënyrën e jetesës.
“Hipertensioni tashmë është bërë një sëmundje e njohur nga të gjithë, është një sëmundje kronike që prek çdo moshë. Moshat më të reja që kemi janë edhe 18-19 vjeç me hipertension, gjë që më parë konsiderohej tabu. Moshat nën 30 vjeç janë tashmë të zakonshme në vizita”, u shpreh Gishto.
Sipas tij, ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e rasteve janë jeta sedentare, ushqyerja jo e shëndetshme, konsumimi i ushqimeve me shumë kalori, si dhe përdorimi i substancave narkotike.
“Përdorimi i drogave, kryesisht kokainës dhe heroinës, ndikon nëpërmjet mekanizmave që rrisin rezistencat periferike dhe aktivizojnë hipertensionin”, tha mjeku për "Vizion Plus".
Megjithatë, kardiologu vëren se është rritur edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për kontrollet periodike, veçanërisht te të rinjtë.
Ai këshillon që gjatë ditëve të nxehta të verës të shmangen orët me temperatura të larta, aktiviteti fizik të kryhet para orës 10:00 dhe pas orës 17:00, ndërsa personat me probleme kardiovaskulare duhet të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të kujdesen për hidratimin.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 47% e shqiptarëve të moshës 30-79 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, një shifër më e lartë se mesatarja globale prej rreth 34%.
Lini një Përgjigje