Rreth 300 persona janë evakuuar si masë paraprake në qytetin Sarcelles, në periferi të Parisit, pasi autoritetet identifikuan një automjet të dyshimtë pranë një sinagoge.
Sipas mediave franceze, alarmi u dha mbrëmjen e së shtunës në këtë zonë, e cila njihet për praninë e një komuniteti të madh hebre. Forca të shumta policie dhe njësitë e specializuara ndërhynë menjëherë, duke izoluar perimetrin dhe duke evakuuar besimtarët dhe banorët për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, konfirmoi se autoritetet reaguan me shpejtësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të verifikuar natyrën e incidentit.
Gjatë kontrollit të automjetit të dyshimtë, efektivët e policisë gjetën një armë ushtarake. Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur nëse bëhet fjalë për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sinagogës apo për një rast me rrethana të tjera.
Hetimet janë në zhvillim për të përcaktuar motivin e ngjarjes dhe për të identifikuar personin ose personat e përfshirë. Deri më tani nuk janë raportuar të lënduar, ndërsa masat e sigurisë në zonë mbeten të shtuara deri në përfundimin e kontrolleve dhe hetimeve.
Lini një Përgjigje