Mijëra qytetarë marshuan drejt Kryeministrisë në ditën e 42-të të protestës në Tiranë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës dhe ndryshimin e sistemit politik në vend.
Ka nisur marshimi i protestuesve nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, në ditën e 42-të të protestave në Tiranë. Mijëra qytetarë i janë bashkuar tubimit qytetar duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, si një kërkesë të panegociueshme.
Protestuesit i kanë bërë thirrje kreut të qeverisë që të dalë përballë tyre në bulevard dhe të japë llogari për shqetësimet e ngritura prej tyre.
Qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur pankarta dhe duke përsëritur slogane kundër qeverisë dhe klasës politike.
Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje si: “Rama, dorëhiqu!”, “Poshtë qeveria!”, “Shqipëria është e qytetarëve”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, "Edi Rama o legen, prite popullin se po vjen".
Në protestë janë bashkuar qytetarë të moshave të ndryshme, nga të rinj deri te familje me fëmijë. Organizatorët deklarojnë se shoqërimet dhe arrestimet e disa pjesëmarrësve gjatë ditëve të fundit nuk kanë ndikuar në vijimin e tubimeve, të cilat zhvillohen çdo mbrëmje prej 42 ditësh.
Protesta, e cila nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projektit turistik në Zvërnec, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe asaj që protestuesit e cilësojnë si “klasa e vjetër politike”.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit insistojnë se kërkesat e tyre nuk lidhen më vetëm me një çështje të vetme, por me ndryshimin e sistemit politik në vend.
Sipas tyre, protesta do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesës kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama dhe nisjen e një procesi për ndryshimin e sistemit politik.
Lini një Përgjigje