
Mbi 1 mijë banorë në zonën e Mokrës, në Pogradec, vijojnë të përballen me mungesën e ujit të pijshëm prej disa ditësh. Problemi ka prekur tetë fshatra të Njësisë Administrative Proptisht, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta të muajit korrik.
Fshatrat Golik dhe Selcë e Poshtme janë ndër zonat ku ndërprerja e furnizimit me ujë vijon prej disa ditësh, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit situata është shtrirë edhe në gjashtë fshatra të tjera të kësaj njësie administrative.
Banorët shprehen se mungesa e ujit ka krijuar probleme në përditshmërinë e tyre dhe se kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrjen e institucioneve lokale për zgjidhjen e situatës.
Sipas tyre, administratori i Njësisë Administrative Proptisht ka kontaktuar me Ujësjellësin e Pogradecit, ku është bërë me dije se ndërprerja ka ardhur si pasojë e një defekti në linjën e furnizimit.
Megjithatë, ende nuk ka një njoftim zyrtar që të sqarojë natyrën e defektit dhe nëse bëhet fjalë për një dëmtim të tubacionit kryesor të ujësjellësit.
Ndërkohë, disa banorë kanë ngritur dyshime se problemi mund të lidhet me devijimin e burimit të ujit nga një hidrocentral në zonën e Velçanit për furnizimin e një rezervuari, çka sipas tyre mund të ketë ndikuar në sasinë e ujit që mbërrin te banesat.
Ujësjellësi që furnizon zonat e Proptishtit dhe Velçanit është ndërtuar i ri rreth një vit më parë, por banorët thonë se problemet me furnizimin janë rikthyer pavarësisht investimit.
Aktualisht, banorët presin ndërhyrjen për riparimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm.
Lini një Përgjigje