
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka reaguar pas vizitës së saj në Shqipëri, ku mori pjesë në protestën antiqeveritare që po mbahet prej 42 ditësh në Tiranë.
Pas qëndrimit në vend dhe pjesëmarrjes në mbledhjen ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri, eurodeputetja ngriti shqetësime për situatën mjedisore, respektimin e standardeve europiane dhe mënyrën se si po zhvillohen projekte në zona të mbrojtura.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Guarda tha se gjatë vizitës së saj ka dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe ka parë nga afër një përplasje mes interesave ekonomike dhe mbrojtjes së natyrës.
Ajo u ndal veçanërisht te zona e mbrojtur Vjosa–Nartë, duke e cilësuar si një rast shumë të rëndë, por theksoi se problematikat mjedisore në Shqipëri nuk kufizohen vetëm te kjo zonë dhe kërkojnë një reflektim më të gjerë politik.
Sipas eurodeputetes italiane, rruga europiane e Shqipërisë duhet të ndërtohet mbi respektimin e vlerave të Bashkimit Europian, mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Guarda theksoi gjithashtu se procesi i integrimit duhet të shoqërohet me respektimin e parimit të “mosregresit” në mbrojtjen e mjedisit dhe shtoi se standardet ekologjike nuk duhet të dobësohen.
Reagimi i plotë i eurodeputetes Cristina Guarda në Facebook:
Ky (dhe jo vetëm ky) është realiteti që pashë në Shqipëri javën e kaluar.
E tregova dhe ndava përvojën time gjatë mbledhjes ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri.
Shqetësimin e shumë njerëzve në terren, por edhe qëndrimin e rëndë të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin në plan të dytë mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve. Sepse për ta, në radhë të parë vjen fitimi, një model zhvillimi ekonomik i papajtueshëm me shëndetin e territorit.
Zona e mbrojtur Vjosa-Nartë është rasti, shumë i rëndë, mbi të cilin ne u përqendruam. Por nuk është i vetmi dhe mund të shërbejë si një mundësi për të reflektuar politikisht mbi vlerat europiane.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të ndodhë në këtë frymë: në mbrojtje të vlerave, në respekt të mjedisit dhe në aktivizimin e komunitetit, duke garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Ai duhet të marrë parasysh edhe parimin e “mosregresit” në mbrojtjen e mjedisit.
Do të vazhdoj ta ndjek dhe t’jua tregoj këtë proces.
Lini një Përgjigje