
Partia Demokratike do të mbledhë më 15 korrik Këshillin Kombëtar, në një mbledhje që pritet të jetë një nga hapat e rëndësishëm për organizimin e ri të strukturave drejtuese të partisë.
Takimi do të zhvillohet në orën 18:00 dhe në fokus të tij do të jetë zgjedhja e ekipit drejtues që do të mbështesë kryetarin e PD-së në drejtimin politik dhe organizativ të partisë.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar do të votojnë për disa prej posteve kryesore në hierarkinë e demokratëve, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, nënkryetarët e partisë, sekretariatin politik dhe Komisionin e Apelimit.
Ky proces pritet të përcaktojë strukturën e re funksionale të partisë, duke vendosur personat që do të kenë përgjegjësi për organizimin e degëve, koordinimin e aksionit politik, komunikimin publik dhe menaxhimin e çështjeve të brendshme të PD-së.
Pozicioni i Sekretarit të Përgjithshëm konsiderohet një nga rolet më të rëndësishme, pasi lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e administratës së partisë, koordinimin e strukturave në terren dhe zbatimin e vendimeve të lidershipit.
Ndërkohë, nënkryetarët dhe sekretariati i partisë pritet të marrin përgjegjësi për fusha të ndryshme politike dhe organizative, duke qenë pjesë e ekipit që do të shoqërojë kryetarin në drejtimin e opozitës.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është zgjedhja e Komisionit të Apelimit të PD-së, një strukturë që trajton çështjet e brendshme të partisë dhe ankimimet që mund të lindin në funksionimin e saj.
Mbledhja vjen në një periudhë kur PD ndodhet në proces konsolidimi të strukturave të saj, me synimin për të forcuar organizimin e brendshëm dhe për të përcaktuar ekipin që do të udhëheqë veprimtarinë politike në vijim.
Vëmendja tashmë është përqendruar te emrat që do të propozohen për këto poste dhe te balancat e reja brenda strukturave drejtuese të Partisë Demokratike.
Njoftimi i plotë i Partisë Demokratike:
Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë dhe anëtare të Këshillit Kombëtar!
Së pari, ju falenderoj dhe njëherë bashkarisht për mbështetjen dhe ju shpreh mirënjohjen, respektin dhe përkushtimin tim absolut për punën tonë të përbashkët, që uroj të na shkojë sa më mbarë.
Së dyti, ju njoftoj që ditën e mërkurë, më datë 15 Korrik, ora 18:00, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me rend dite:
1- Zgjedhja e ekipit që do të ndihmojë Kryetarin në drejtimin e Partisë; konkretisht:
a-) Sekretarit të Përgjithshëm;
b-) Nënkryetarëve të PD-së;
c-) Sekretariatit të PD-së;
d-) Komisionit të Apelimit të PD-së.
2- Të tjera.
Lini një Përgjigje