
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka hedhur poshtë pretendimet se SPAK po anashkalon Policinë e Shtetit gjatë zhvillimit të operacioneve, pas pyetjeve të gazetarëve lidhur me arrestimin e Adi Çobës nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).
Gjatë një deklarate për mediat, Hita tha se Policia e Shtetit ka qenë e përfshirë edhe në atë operacion, duke kryer veprime në terren, ndërsa theksoi se oficerët e BKH-së kanë kompetenca ligjore për të ndërhyrë dhe për të kryer veprime në mënyrë të pavarur.
Sipas tij, nuk ka vend për interpretime se Policia po lihet jashtë operacioneve të SPAK, duke theksuar se ky është vetëm një aludim.
"Edhe në atë operacion, Policia ka qenë prezente duke kryer një sërë veprimesh, por ata kanë atributin ligjor, si oficerë të BKH-së, të kryejnë veprime edhe vetë në terren. S'ka vend për aludime. Kjo ka qenë zgjedhja që ata kanë menduar. Ne vazhdojmë ditë pas dite të jemi prezent në operacionet policore. Është vetëm një aludim, ose hamendësim që ndodh", u shpreh Hita.
Lini një Përgjigje