TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Korrik 2026, 17:39

"Dhimbje koke" në Bruksel për dhuratat e Erdoganit: Ku përfunduan revolverët?

Shkruar nga Pamfleti
"Dhimbje koke" në Bruksel për dhuratat e Erdoganit: Ku
Dhurata e Erdogan për liderët e NATO

Protokolli tradicional i dhuratave diplomatike në samitet ndërkombëtare zakonisht përfshin produkte vendase, vepra arti ose libra me vlerë historike. Megjithatë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zgjodhi një dhuratë krejt të pazakontë gjatë samitit të NATO-s.

Sipas raportimeve, Erdogan u dhuroi homologëve të tij një revolver artizanal të modelit Gumusay .357 Magnum, prodhuar nga kompania turke Sarsilmaz. Çdo armë mbante të gdhendur emrin e liderit përkatës dhe shoqërohej me një komplet pastrimi si dhe gjashtë fishekë të vërtetë.

Dhurata shkaktoi menjëherë reagime nga ekipet e sigurisë së delegacioneve, pasi transportimi i një arme funksionale u përball me kufizime ligjore në disa vende evropiane.

Sipas mediave, kryeministri belg Bart De Wever u informua për përmbajtjen e kutisë vetëm gjatë fluturimit të kthimit. Pas mbërritjes në Belgjikë, ekipi i tij i sigurisë ia dorëzoi menjëherë revolverin dhe municionin policisë së aeroportit, ku u vendosën në një kasafortë të sigurisë.

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer dhe homologu i tij holandez vendosën t'i linin armët në territorin turk, nën kujdesin e përfaqësive diplomatike të vendeve të tyre. Sipas autoriteteve, revolverët do të çaktivizohen përfundimisht përpara se të transportohen në Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandë, pasi legjislacioni i këtyre vendeve ndalon importimin e armëve funksionale.

Çështja mori edhe dimension institucional në Bruksel, pasi dhurata iu dorëzua edhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe presidentit të Këshillit Evropian, António Costa.

Komisioni Evropian bëri të ditur se arma e marrë nga Ursula von der Leyen do të ruhet në një ambient të sigurt, do të çaktivizohet dhe më pas synohet të dhurohet në një muze ushtarak. Ndërsa në rastin e António Costës u ndoqën procedurat standarde të transportit dhe ruajtjes të Këshillit Evropian.

Përtej aspektit të sigurisë, dhurata ngriti edhe çështje etike, pasi vlera e një revolveri artizanal Gumusay .357 Magnum tejkalon kufirin prej 150 eurosh që rregullat e Bashkimit Evropian lejojnë për dhuratat personale të zyrtarëve. Për këtë arsye, revolverët nuk pritet të mbeten në pronësi personale të liderëve, por do të regjistrohen si pronë shtetërore ose institucionale.

erdogan revolverët

Lini një Përgjigje