
Seanca në Gjykatën e Posaçme për çështjen ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit u shoqërua me debate mes ish-deputetes dhe përfaqësuesit të SPAK, lidhur me provat e administruara në dosje.
Kryemadhi kërkoi që Prokuroria e Posaçme t'i dorëzojë të gjitha procesverbalet që lidhen me ekspertimin e telefonit celular. Ajo argumentoi se pjesa më e madhe e dosjes mbështetet në komunikime telefonike dhe se mungesa e këtyre dokumenteve ka cenuar të drejtën e saj për mbrojtje.
"Duke pasur parasysh që 90% e dosjes është me mesazhet telefonike, e kam kërkuar këtë edhe në shqyrtimin paraprak, por nuk më janë vendosur. Provat na i japin me pikatore. Në dokumentet e mia nuk ekzistojnë këto procesverbale. Dua të di mbi bazën e cilit vendim është ekspertuar ky telefon. Nëse SPAK e ka, të na e vendosë në dispozicion. Në çdo seancë na del nga një provë tjetër", u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se edhe analiza financiare nuk iu vu në dispozicion menjëherë pas përfundimit dhe pretendoi se në një nga disqet që ka marrë ndodhen skedarë që nuk hapen.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, deklaroi se të gjitha vendimet ndodhen në fashikullin e çështjes që i është vënë në dispozicion gjykatës. Ai sqaroi se telefoni i ekspertuar ishte gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit dhe jo si një telefon i identifikuar paraprakisht si pronë e Monika Kryemadhit.
"Ne nuk e dimë që telefoni iPhone është i zonjës Kryemadhi. Ne e kemi gjetur në banesën e zonjës Fatime Kryemadhi", deklaroi Kllapi. Gjatë kësaj deklarate, Ilir Meta reagoi me të qeshura në sallën e gjyqit.
Edhe avokatja e Kryemadhit kundërshtoi qëndrimin e SPAK, duke theksuar se mbrojtja ishte njoftuar për akt-ekspertimin kontabël, por jo për ndonjë vendim që autorizonte ekspertimin e telefonit.
Në fund të replikës së saj, Kryemadhi e cilësoi akuzën ndaj saj si të paragjykuar. "Akuza është shumë seksiste. Për çdo veprim e paskam bërë unë. Pra, del që unë paskam qenë shërbëtorja", u shpreh ajo.
Ajo këmbënguli se do ta ndjekë procesin deri në fund dhe kërkoi t'i vihet në dispozicion vendimi që autorizon ekspertimin e telefonit.
"Unë e di që ky proces do të zgjasë. Do ta ndjek gjithë procedurën. Dua këtë vendim. Çdo provë që marr mua më ndryshon kronologjia. Kjo është një çështje që mund ta zgjidh vetëm unë, nuk ma zgjidh as Ilir Meta, as avokatët", deklaroi Kryemadhi.
Lini një Përgjigje