
Legjenda e futbollit brazilian, Romario, ka reaguar ashpër pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të Karlo Ançelotit nga posti i trajnerit të kombëtares.
Ish-sulmuesi i “Seleçaos”, kampion bote në vitin 1994 dhe autor i 55 golave në 70 ndeshje me fanellën e Brazilit, nuk i kurseu kritikat ndaj teknikut italian, duke e cilësuar paraqitjen e skuadrës ndaj Norvegjisë si të papranueshme.
"Ai nuk mund të qëndrojë si trajner i Brazilit, nuk ka asnjë mundësi. Nëse do të isha në Federatë, do të kisha shkuar në dhomat e zhveshjes, do t'i kisha thënë të shkonte në ferr dhe do t'ia kisha grisur kontratën menjëherë", deklaroi Romario.
Sipas tij, Brazili nuk mund të vazhdojë me Ançelotin pas gabimeve të bëra gjatë turneut.
"Ndeshja kundër Norvegjisë ishte një turp. Madje do ta çoja edhe në gjyq. Pastaj do të shohim çfarë ndodh, por ai nuk mund të qëndrojë."
Romario kritikoi edhe zgjedhjet taktike të trajnerit italian, duke vënë në pikëpyetje zëvendësimin e Bruno Guimaraesh dhe aktivizimin e Edersonit në një rol që, sipas tij, nuk ishte natyral.
"Nuk e kuptoj çfarë po mendonte në fushë: të hiqte Bruno Guimaraesh për të vendosur Ederson në krah? Dhe e bën këtë sepse nuk ke thirrur mbrojtës të tjerë të krahut. Një mbrojtës dëmtohet dhe ti thërret një mesfushor?"
Në reagimin e tij, ish-sulmuesi solli në vëmendje edhe mënyrën se si Federata Braziliane ka vepruar me trajnerët e mëparshëm pas dështimeve në turne madhorë.
"Ne kishim Dungën, ai humbi dhe u largua. Kishim Felipe Skolarin, i cili fitoi Kupën dhe qëndroi. Kishim Titen, i cili humbi, qëndroi dhe humbi përsëri."
Romario vazhdoi kritikat ndaj Ançelotit, duke e bërë atë përgjegjës për eliminimin e Brazilit.
"Tani kemi këtë Ançelotin e mallkuar, i cili humbi dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Ai bëri shumë gabime në këtë Kupë Bote dhe ju në shtyp nuk thoni asgjë."
Në fund, ai pretendoi se fakti që Ançeloti është një trajner i huaj ka ndikuar në mënyrën se si është trajtuar nga opinioni publik dhe media.
"Nëse ai do të kishte qenë një trajner brazilian, do ta kishit bërë copë-copë. Por meqenëse është i huaj, askush nuk thotë asgjë."
Lini një Përgjigje