
Janë publikuar fotografitë e dhuratës së pazakontë që presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u bëri liderëve të NATO-s gjatë samitit të Aleancës, mes tyre edhe kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.
Sipas mediave turke, bëhet fjalë për një revolver me emrin e secilit lider të gdhendur në të, të shoqëruar me një kuti me municion të vërtetë dhe një komplet për pastrimin e armës.

Sipas zyrtarëve evropianë të cituar nga Politico, dhurata iu dorëzua edhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe presidentit të Këshillit Evropian, António Costa.

Një zyrtar i Këshillit Evropian deklaroi se ekipi i sigurisë së Costës e mori revolverin për të kryer kontrollet e nevojshme. Më pas ai do të transportohet dhe ruhet sipas procedurave të sigurisë në Belgjikë.

Ndërkohë, një zëdhënës i Ursula von der Leyen tha se presidentja e Komisionit Evropian e falënderoi Erdoganin për dhuratën. Sipas tij, arma do të çaktivizohet dhe më pas synohet të dhurohet në një muze ushtarak.

Megjithëse dhuratat kishin karakter simbolik, ato pritet të përballen me rregullat e rrepta të Bashkimit Evropian për pranimin e dhuratave nga zyrtarët. Për këtë arsye, konsiderohet e pamundur që liderët t'i mbajnë revolverët si pronë personale.
Lini një Përgjigje