Pas vizitës misterioze të majit 2026 në Korenë e Jugut, Edi Rama dërgon më 18 korrik një grup të tërë qeveritarësh në Busan; Blendi Gonxhe, Sofjan Jaupaj, Daniel Pirushi dhe kryebashkiakun e Pogradecit, Ilir Xhakolli, për të prezantuar tokat që do të dhurohen për kulla, resorte dhe impiante fotovoltaikë. Më 10 qershor, 'Pamfleti' zbuloi se 50 mijë m² të ish-Azotikut i ishin dhuruar kompanisë koreane 'Yura Corporation'...
"Ujku nuk ndalet, po nuk e ndalove"; kjo fjalë e urtë e popullit i shkon përshtat kryeministrit Edi Rama, lidhur me grabitjet dhe dhurimin e tokave shtetërore në bregdet, Tiranë e në qendër të qyteteve Durrës, Kavajë, Vlorë, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë.
Fakti është ky: Më 17–21 maj 2026, kryeministri Edi Rama ishte në Korenë e Jugut, për vizitë të deklaruar si pjesëmarrje në konferencën aziatike për partneritet në teknologji e inovacion, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, biznesmeni i oborrit, Agron Papuli dhe një delegacion qeveritar.
Përveç një takimi 30-minutësh me homologun koreano-jugor, Kim Minseok, dhe prezantimit të ministres "Diella", kryeministri Edi Rama dhe zyra e shtypit të qeverisë nuk bënë publik asnjë detaj tjetër mbi këtë vizitë katërditore.
Por dokumentat që po publikon "Pamfleti" zbulojnë se objekti faktik i vizitës misterioze të Edi Ramës në Korenë e Jugut lidhet me një pazar për dhurimin e tokave preferenciale në Pogradec dhe në bregun e liqenit të Ohrit, të premtuara klientëve koreano-jugorë me lobim të Agron Papulit, "Konsull Nderi" i Koresë së Jugut në Shqipëri.
Më 18 korrik 2026, dy muaj e gjysmë pas kthimit nga Koreja e Jugut, kryeministri Edi Rama do të dërgojë atje ministrin Blendi Gonxhe me një vartëse; Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj; Drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, dhe Kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli.
Më 7 korrik 2026, këta kanë blerë biletat dhe do të udhëtojnë për në Busan të Koresë së Jugut, qyteti i dytë më i madh bregdetar, ku janë përqendruar kompanitë tregtare e ndërtuese dhe bizneset e objektet turistike.
Ministri Blendi Gonxhe, biletën për vete dhe vartësen shoqëruese për në Korenë e Jugut, i ka blerë nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, me datë nisje 19 korrik dhe kthim në datën 25 korrik.

Dhe Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, biletën e ka blerë nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, por me datë nisje më 18 korrik dhe kthim në datën 25 korrik; në të njëjtat data me Drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, dhe Kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli.

Nuk dihet nëse në Korenë e Jugut, bashkë me Blendi Gonxhen dhe grupin e qeverisë, do të shkojë apo jo konsulli sekser Agron Papuli, por dihet që ata do të qëndrojnë 7 ditë atje.

Klientëve koreano-jugorë, me të cilët Edi Rama ka bërë pazaret, grupi i drejtuar nga Blendi Gonxhe do t'u prezantojë sipërfaqet, pamjet e tokave dhe bregun liqenor të Pogradecit; të cilat do të dhurohen për kulla, hotele, resorte, komplekse pallatesh, vilash e impiante fotovoltaikë.
Pasi ata të përzgjedhin sipërfaqet që preferojnë në Pogradec, ministri Blendi Gonxhe, Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura dhe Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, do të firmosin letrat verbalisht dhe do të kthehen në Shqipëri.

Më 10 qershor 2026, "Pamfleti" publikoi shkrimin me titull: "Hija e Albpetrolit dhe Azotikut mbi vizitën sekrete: Çfarë negocioi Edi Rama në Korenë e Jugut?", me informacionin se një nga pazaret ishte dhe dhurimi i ish-Azotikut dhe sipërfaqe të "Albpetrol"-it; rreth 50 mijë m² të të cilit ia ka dhuruar kompanisë koreane "Yura Corporation" si "Investitor strategjik"./Pamfleti
Lini një Përgjigje