Një drejtues mjeti në shtetin Montana të SHBA-së ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve dhe kalimtarëve pasi po qarkullonte me një automjet të ndërtuar në formën e një bananeje gjigante mbi rrota.
Bëhet fjalë për Steve Braithwaite, i cili ka transformuar një Ford F-150 të vitit 1993 në një mjet unik, rreth 7 metra të gjatë, të dizajnuar në formën e një bananeje.
Projekti ka nisur në vitin 2008 dhe është përfunduar në vitin 2011, me qëllimin për të sjellë më shumë kreativitet dhe humor në rrugët amerikane.
Megjithë pamjen e pazakontë, ndalimi nga policia nuk lidhej me mjetin në vetvete, por me një shkelje konkrete: targat e automjetit ishin pjesërisht të mbuluara nga dy kuti, duke e bërë të vështirë identifikimin e tyre.
Pas një bisede me efektivët, Braithwaite u lejua të vijonte rrugën pa u gjobitur.
Ky nuk është rasti i parë që mjeti i tij i veçantë tërheq vëmendjen e policisë. Sipas vetë drejtuesit, “banania” është ndaluar disa herë ndër vite për shkak të pamjes së saj të pazakontë, duke e bërë atë një figurë të njohur në rrugët e SHBA-së.
Së fundmi, Braithwaite ka nisur një udhëtim të gjatë nëpër Amerikë me automjetin e tij të veçantë, duke promovuar idenë se “bota ka nevojë për më shumë fantazi”.

Lini një Përgjigje