Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Strasburg se projekti i planifikuar në Zvërnec nuk do të ecë përpara pa përmbushur të gjitha detyrimet ligjore dhe mjedisore.
Duke folur për këtë investim, Balla theksoi rëndësinë ekologjike të zonës dhe sqaroi se projekti ndodhet ende në fazën e zhvillimit. Sipas tij, çdo hap i mëtejshëm do të varet nga vlerësimi i plotë i ndikimit në mjedis, konsultimet publike dhe miratimet nga institucionet përgjegjëse.
"22.1% e territorit të Shqipërisë është zonë e mbrojtur. Projekti është në fazën e zhvillimit, nuk është miratuar projekti përfundimtar dhe nuk mund të vazhdojë pa vlerësimin e plotë të ndikimit në mjedis dhe pa miratimet përkatëse. Çdo zhvillim do të jetë i nënshtruar kërkesave të ligjit", deklaroi Balla.
Ai shtoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit duhet të ecin paralelisht, duke i cilësuar si pjesë të të njëjtit model të zhvillimit të qëndrueshëm.
"Objektivi është të ofrojmë një model turizmi që krijon vende pune, tërheq ekonomi dhe investime, ndërsa mbron njëkohësisht vlerat ekologjike të zonës. Ruajtja e natyrës dhe zhvillimi nuk janë objektiva që bien ndesh, por shtylla plotësuese të të njëjtit vizion për një Shqipëri më të begatë dhe më të gjelbër.”, u shpreh Balla.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke vënë në dukje rolin e Kuvendit të Shqipërisë në këtë rrugëtim. Ai tha se bashkëpunimi politik dhe përfshirja demokratike mbeten elementë kyç për avancimin e procesit.
Sipas Ballës, rezoluta më e fundit për integrimin europian është mbështetur nga të gjitha forcat kryesore politike, çka, sipas tij, tregon angazhimin institucional të vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
"Asnjë proces nuk mund të arrihet pa pronësinë demokratike. Parlamenti shqiptar është një nga shtyllat kryesore që i jep legjitimitet, mbikëqyrje dhe transparencë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.", deklaroi Balla.
Lini një Përgjigje