TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Korrik 2026, 12:40

Presidenti Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do të mbështesë të drejtat e shqiptarëve

Shkruar nga Pamfleti

Presidenti Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do të

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të enjte një vizitë në Luginën e Preshevës, ku u prit nga drejtuesit politikë dhe qytetarët në Preshevë dhe Bujanoc. Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit zhvilloi takime me Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si dhe me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Në fokus të bisedimeve ishin shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, forcimi i bashkëpunimit mes faktorëve politikë shqiptarë dhe projektet që synojnë mbështetjen e të rinjve.

Presidenti Begaj u bëri thirrje përfaqësuesve politikë të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit mori pjesë edhe në ceremoninë e çeljes së Panairit të Librit Shqip 2026 në Preshevë, ku mbajti një fjalim para qytetarëve.

Në fjalën e tij, Presidenti garantoi mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjeve që prekin shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përmendur përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe respektimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare.

“Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen, shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat të mbrohen dhe promovohen”, u shpreh Presidenti Begaj.

Ai theksoi se shqiptarët janë faktor paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Luginën e Preshevës e cilësoi si pjesë të standardeve evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe diversitetit kulturor.

“Identiteti shqiptar është ndërtuar mbi vlera evropiane, mbi respektin për lirinë, dinjitetin njerëzor, bashkëjetesën, shtetin e së drejtës dhe kulturën e dialogut. Prandaj, mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Luginën e Preshevës nuk është çështje nostalgjie, nuk është vetëm çështje kombëtare, është pjesë e vetë sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave, është pjesë e vizionit tonë si komb për të ardhmen”, deklaroi ai.

Një mesazh të veçantë Presidenti përcolli edhe për të rinjtë e Preshevës, të cilëve u kërkoi ta shohin gjuhën shqipe si një mjet për arsimim, zhvillim profesional dhe sukses.

“Një mesazh sot e kam për ata fëmijë dhe të rinj të pranishëm. Ju jetoni në një kohë kur dija është më e arritshme se kurrë më parë, por edhe kur sfida për të ruajtur identitetin është edhe më komplekse. Gjuha shqipe në këto troje është një pasuri e gjallë dhe e patjetërsueshme, është një investim strategjik për të ardhmen e kombit. Gjuhën shqipe ta përdorni jo vetëm si gjuhë të familjes dhe për të ruajtur traditën, por edhe si gjuhën e dijes, të profesionit, të krijimtarisë dhe të suksesit tuaj këtu në Luginë, sepse një gjuhë jeton vërtet kur shkruhet, lexohet dhe kur krijon dije dhe frymëzon breza”, tha Begaj.

Në përfundim, Presidenti u zotua se do të vijojë të mbështesë të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet dhe kancelaritë ndërkombëtare.

“Dua t’ju siguroj se institucioni që përfaqësoj do të mbetet gjithmonë një mbështetës i nismave që forcojnë bashkëpunimin kulturor, promovojnë librin në gjuhën shqipe dhe krijojnë ura komunikimi ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë”, përfundoi ai.

Presidenti Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do tëPresidenti Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do tëPresidenti Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do tëPresidenti Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do tëPresidenti Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do të

Lini një Përgjigje