
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë thirrje për nisjen sa më shpejt të negociatave për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke theksuar se prioritet duhet të jetë ndalimi i gjakderdhjes.
Duke folur në konferencën për rindërtimin e Ukrainës, të mbajtur në Gdańsk, Merz deklaroi se është koha për të hapur një proces diplomatik që do të mundësonte ngrirjen e vijës së frontit dhe krijimin e kushteve për një marrëveshje paqeje.
"Ka ardhur koha të ndalen vrasjet", u shpreh kancelari gjerman.
Ai theksoi gjithashtu se Gjermania mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën dhe se Berlini do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Kievit përballë agresionit rus.
Merz shtoi se Evropa, së bashku me aleatët transatlantikë, është e gatshme të rrisë presionin ekonomik ndaj Rusisë, duke theksuar se Moska nuk do ta arrijë objektivin e saj përmes luftës.
Deklaratat e kancelarit vijnë në një kohë kur përpjekjet e mëparshme diplomatike nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Për këtë arsye, vendet kryesore evropiane po shqyrtojnë mënyra për të rikthyer procesin e negociatave dhe për të luajtur një rol më aktiv në arritjen e një zgjidhjeje.
Ndërkohë, Rusia vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim, duke refuzuar negociatat me vendet evropiane dhe duke insistuar në kërkesat e saj, të cilat përfshijnë edhe lëshime të konsiderueshme territoriale nga Ukraina.
Lini një Përgjigje