
Një efektiv i Policisë së Burgjeve në IEVP Durrës është arrestuar, pasi dyshohet se i ka futur kokainë një të burgosuri gjatë ushtrimit të detyrës. Në pranga ka përfunduar edhe i dënuari që dyshohet se mori lëndën narkotike.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), të arrestuar janë shtetasit A.P., punonjës policie në IEVP Durrës, dhe A.M., i burgosur në të njëjtin institucion.
Rasti u zbulua gjatë një kontrolli të zhvilluar nga AMSEVP në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Gjatë verifikimeve u konstatua se efektivi dyshohet se i kishte dorëzuar të burgosurit një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj dy të arrestuarve rëndojnë dyshimet për veprat penale "Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë ose raste të ngjashme brenda IEVP Durrës.
Lini një Përgjigje