Huduti deklaroi se preferon një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime
Pak orë pasi qeveria shqiptare e shpalli "person të padëshiruar" për një periudhë 15-vjeçare, ka reaguar Ikballe Huduti. Huduti shprehet se nuk ka më asgjë për të humbur dhe se frikën ndaj "zullumqarëve" e ka lënë pas prej kohësh.
"S'kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to. Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër", shkroi ajo.
Më tej, Huduti e cilësoi veten si viktimë të padrejtësive dhe tha se prej kohësh ka zgjedhur të ngrejë zërin. Ajo përdori referenca fetare dhe historike, duke përmendur poemën "Qerbelaja" të Naim Frashërit dhe duke e krahasuar misionin e saj me atë të shehidëve të Qerbelasë.
Në fund të mesazhit, Huduti deklaroi se preferon "një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime" dhe u kërkoi besimtarëve ta mbajnë në lutje në ditën e Ashuras.
Reagimi i Ikballe Hudutit
Një përgjigje jo për Ministrin Llamallari por për një vëlla të shqetësuar që më dërgoji këtë lajm në ëhat's app.
Paqe për ty Vëlla.
Po e di, vëlla i nderuar, e lexova këtë shkrim. S'kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to.
Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m'i ka falur.
Kam "humbur" nga kjo botë e "bukur" çdo të mirë, që nga dita kur e ngrita zërin kundër padrejtësisë në emër të lirisë humane dhe njerëzillëkut. U shkurorëzova nga kjo botë që nga dita kur e lexova poemën "Qerbelaja" të Naim Frashërit.
Jeta ime nuk do të kishte vlerë në këtë vend të shqiptarisë nëse unë nuk e kryej misionin tim, që ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë.
Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët.
Më e mirë për mua është një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime.
Të kam në dua, vëlla, edhe ju më keni në dua në këtë ditë të Ashuras. Kam nevojë për lutjet e secilit që dëgjon për padrejtësitë që më bëhen në këtë jetë.
Ditën e sotme qeveria shqiptare ka shpallur "person të padëshiruar" për një periudhë 15-vjeçare shtetasen e Kosovës, Ikballe Huduti (Berisha), pas akuzave të kryeministrit Edi Rama për lidhje të saj me regjimin iranian. Vendimi u mor me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili argumenton se, bazuar në informacionet e institucioneve përgjegjëse, veprimtaria e saj përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin dhe sigurinë publike.
Më herët, Rama publikoi fotografi ku Huduti shfaqej pranë ish-presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad, duke e akuzuar se gjatë protestave ka bërë thirrje kundër qeverisë shqiptare dhe ka shprehur mbështetje për figura të regjimit iranian. Huduti është protestuesja e parë ndaj së cilës është marrë një masë e tillë, ndërsa kryeministri ka paralajmëruar se edhe persona të tjerë, të cilët sipas tij kanë lidhje me Iranin, janë nën vëzhgim.
Në të njëjtën kohë, protestat kundër qeverisë vijojnë, me organizatorët që kanë njoftuar zhvillimin e tubimeve të reja në Tiranë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, si edhe largimi i kreut të opozitës, Sali Berisha.
Lini një Përgjigje