TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Qershor 2026, 11:05

Helmimi nga ushqimi i Sori-Al në Akademinë e Sigurisë, policia: 60 kursantë në spital, priten analizat e AKU-së

Shkruar nga Pamfleti
Helmimi nga ushqimi i Sori-Al në Akademinë e Sigurisë, policia:
Helmim nga ushqimi i Sori-Al në Akademinë e Sigurisë

Policia ka dhënë detaje në lidhje me skandalin e ndodhur brenda rreth 2 muajsh në Akademinë e sigurisë, ku dhjetëra studentë janë helmuar sërish nga ushqimi i kateringut nga “Sori-AL”,

Sipas njoftimit zyrtar, gjithsej 60 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor kanë marrë ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi shfaqën simptoma si temperaturë dhe diarre.

Nga këta, 31 kursantë u paraqitën në spital gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm. Pas marrjes së trajtimit të nevojshëm mjekësor, ata u rikthyen në Akademinë e Sigurisë në gjendje të stabilizuar.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm edhe 29 kursantë të tjerë u paraqitën në qendrën shëndetësore të Akademisë me simptoma të ngjashme dhe u transportuan në Repartin Infektiv të QSUT-së për trajtim mjekësor.

Menjëherë pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Paralelisht, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra nga ushqimet e konsumuara, të cilat do t'i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar nëse ato janë shkaku i situatës së krijuar. Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë kryer analizat mjekësore, ndërsa priten rezultatet që do të ndihmojnë në identifikimin e shkakut të helmimit të dyshuar.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti.

"Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.

Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.", njofton policia.

1 Komente

  1. T
    Tony

    Ruset e serbet e kane kete zanat.

    Lini një Përgjigje