
Shqipëria është përfshirë nga një valë e fortë të nxehti, e cila pritet të zgjasë edhe për disa ditë. Temperaturat më të larta do të regjistrohen në Shkodër dhe Elbasan, ku termometri pritet të shkojë deri në 40°C.
Sipas parashikimeve meteorologjike, moti do të mbetet kryesisht i kthjellët në të gjithë vendin, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare, ku kushtet e qëndrueshme atmosferike do të dominojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
Megjithatë, nga e marta e javës së ardhshme pritet një ndryshim gradual i motit. Sinoptikanët parashikojnë një rënie të lehtë të temperaturave në të gjithë territorin, si edhe shtim të vranësirave, kryesisht në zonat juglindore.
Në këto zona nuk përjashtohen rrebeshe të shkurtra shiu, ndërsa në pjesën tjetër të vendit mundësia për reshje mbetet e ulët.
Temperaturat minimale në zonat malore pritet të zbresin deri në 17°C, ndërsa në bregdet nuk do të bien nën 25°C.
Vranësira kalimtare do të jenë më të pranishme në juglindje dhe në zonat lindore të vendit, ndërsa moti do të vijojë të mbetet i nxehtë edhe gjatë fundjavës.
Një freskim më i ndjeshëm i motit parashikohet në ditët e para të muajit korrik, kur temperaturat mund të ulen me rreth 3 gradë Celsius, duke sjellë lehtësim pas ditëve me vapë intensive.
Lini një Përgjigje