Gazetari Ismet Drishti ka mbajtur një fjalim me tone të forta gjatë protestës kombëtare që po zhvillohet para Kryeministrisë, duke sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe gjithë klasën politike.
Nga tribuna e protestës, Drishti u bëri thirrje qytetarëve të mos heshtin, por të flasin hapur kundër qeverisë dhe sistemit politik, ndërsa ironizoi qëndrimin e kryeministrit ndaj kritikëve.
"Duhet të flisni të gjithë ju. Dola sepse e shoh naltgjatësinë e tij që tallet me ata që flasin dhe thotë 'kush foli'. E kush guxon ta thotë këtë? Guxon ta thotë ai që ka nxjerrë me fol dhe të bëjë ligje në Parlament Zegjinenë", u shpreh Drishti.
Gazetari nuk kurseu as emra të tjerë të mazhorancës dhe opozitës, duke deklaruar se niveli i përfaqësimit politik është degraduar.
"Ai që nxjerr në Parlament Ulsi Manjën, Bora Muzhaqin dhe ana tjetër që ka nxjerrë në Parlament Jenishehrin, ka nxjerrë të këndojë Lulzim Bashën! Secili këtu ka mend të flasë më shumë se secili prej atyre që janë atje ku nuk u takon", tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Drishti përsëriti një nga sloganet që po dominojnë protestat e javëve të fundit, duke kërkuar që drejtësia të veprojë ndaj figurave kryesore të politikës.
"Mbajeni mend, Rama në burg, Berisha në burg!", deklaroi ai, mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të protestuesve.
Fjalimi i gazetarit u prit me reagime të forta nga turma e mbledhur në ditën e 28-të të protestës, e cila vijon të kërkojë largimin e qeverisë dhe ndryshime të thella në sistemin politik shqiptar.

Eksperti i IT-së dhe aktivisti Gent Progni mori fjalën gjatë protestës së 28-të kombëtare, të zhvilluar para godinës së Kryeministrisë. Ai hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Endri Fugës, ish-drejtorit të komunikimit të kryeministrit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Progni deklaroi se rikthimi i Fugës është pjesë e një strategjie për të ndikuar në rrjetet sociale dhe reagimin e qytetarëve në platformat online.
“Unë dola sot të flas për blerjen e re të merkatos së korrupsionit që është Endri Fuga. Rama e solli nga larg për të prishur algoritmin, por më besoni se ka bërë gabimin e jetës”, deklaroi Progni para protestuesve.
Ai paralajmëroi Fugë, teksa i tha se disponohen informacione për çështje që lidhen me korrupsionin.
“…se tani që u kthye do e fusim edhe Endri Fugën në burg, se kemi info edhe për korrupsionin e tij!”, u shpreh Progni mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve në protestë.

Ish-drejtuesi i policisë, Krenar Ahmeti, ka folur sot para protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë, në protestën e 28-të kombëtare.
Nga tribuna e ngritur në bulevard, Ahmeti u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë qëndresën dhe të mos largohen nga sheshi, duke e lidhur protestën me të ardhmen e fëmijëve shqiptarë.
"Nga Vermoshi në Konispol nuk duhet me e lëshuar frontin. Jemi këtu për fëmijët tanë. Këtu jemi për të ardhmen e tyre. Duhet edhe pak. Duroni! Nuk duhet me e lëshu frontin o popull. Në datën 4 korrik do jemi prapë këtu deri sa Rama të japë dorëheqjen!”, deklaroi Ahmeti.
Ai paralajmëroi se protesta e radhës do të mbahet më 4 korrik, datë që sipas tij do të shënojë një tjetër moment të rëndësishëm të lëvizjes qytetare.
Në fund të fjalës së tij, Ahmeti kërkoi nga qytetarët që në protestat e ardhshme të sjellin sa më shumë flamuj amerikanë, duke theksuar se Shqipëria duhet të tregojë orientimin e saj pro SHBA-së dhe Europës.
“Kam vetëm një lutje! Sa më tepër flamuj amerikanë! God bless America. Jemi shtet prej atij kombi, duhet të tregojmë se duam Shba-në, duam Europën. Ma besoni, Amerika është me ne! Europa e përparuar është me ne! Burra, frontin mos e lëshoni!”, u shpreh Ahmeti.

Një instalacion simbolik është vendosur nga protestuesit në shkallët e Kryeministrisë gjatë protestës së 28-të kombëtare kundër qeverisë.
Në mur janë ngjitur dhjetëra fletë, ku renditen një sërë çështjesh dhe skandalesh që protestuesit ia atribuojnë qeverisë së Edi Ramës ndër vite.
Mes emrave dhe dosjeve të afishuara dallohen koncesioni i Check-Up në Shëndetësi, shembja e Teatrit Kombëtar, vrasja e Klodian Rashës, dosja "339", skandali i kanabizimit, dosja e shpifjes dhe atentatit të inskenuar "Tom Doshi", arrestimi i ish-deputetit Mark Frroku, skandali i serverit të Tatimeve, dosja "184" e Dibrës, operacioni "Volvo 4", afera e Unazës së Madhe ("DH Albania"), abuzimi me fondet e rindërtimit, kategorizimi i kuksianëve si "shpellarë", audio-përgjimi "Babale", dekriminalizimi në Kavajë, Shkodër dhe Vorë etj.
Në listë përmenden gjithashtu koncesioni i sterilizimit, afera e inceneratorëve, skandali i video-erotik i ish-kryebashkiakut të Dibrës, si dhe çështje të tjera që protestuesit i konsiderojnë përgjegjësi të qeverisë.
Me këtë veprim simbolik, protestuesit synuan të rikujtojnë, sipas tyre, ngjarjet dhe aferat më të debatueshme të viteve të fundit, duke i vendosur përballë godinës së Kryeministrisë.
Kreativiteti dhe satira kanë vijuar të shoqërojnë protestën qytetare kundër qeverisë. Gjatë tubimit të sotëm, protestuesit publikuan një video të montuar ku njoftohet në mënyrë ironike dorëheqja e "ministres digjitale" të qeverisë, Diella.
Në videon satirike, e cila u shpërnda edhe në rrjetet sociale, ministrja shfaqet duke deklaruar se largohet nga detyra pasi, siç thotë me ironi, "dështoi me sukses".
Por pjesa më e fortë e videos vjen në fund, kur "ministrja" i drejtohet kryeministrit Edi Rama me mesazhin: "Tani e ke ti radhën."
Aktori i njohur Mehdi Malkaj ka mbajtur një nga fjalimet më të forta në protestën e ditës së 28-të para Kryeministrisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për shkatërrimin e vendit dhe duke kërkuar arrestimin e tij.
Në fjalën e tij, Malkaj u ndal te arrestimi i disa protestuesve, duke pyetur pse, sipas tij, para drejtësisë dalin qytetarët dhe jo kryeministri.
"Dëgjova se disa nga djemtë e protestës janë arrestuar. Kur jemi të barabartë para ligjit, pse nuk fusin këtë maskarain në burg? Pse nuk fusin këtë të kalbet atje?", u shpreh aktori.
Malkaj përdori tone të ashpra edhe ndaj kryeministrit, duke thënë se vetë emri i Edi Ramës "e ndot gjuhën shqipe".
"Parafolësit e mi pasuruan gjuhën shqipe, sepse Edi Rama, ai maskarai, ndyrësira, qelbësira... sepse emri i tij na bën pis gjuhën", deklaroi ai.
Aktori akuzoi gjithashtu Ramën se ka "shitur Shqipërinë", duke përmendur si shembuj detin, Vlorën, Lezhën dhe Butrintin.
"Ka hequr 12 milje det, Vlorën, Lezhën, Butrintin, nuk i kemi më, i ka shitur. Duhet t'i shohim të gjitha gjërat dhe ta duam atdheun tonë. Nuk ka asgjë më të bukur se Shqipëria", tha Mehdi Malkaj.
Fjalimi i aktorit u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa thirrjet kundër qeverisë vijuan gjatë gjithë tubimit.

Aktivisti Edison Lika e përqendroi fjalën e tij në protestën qytetare te libri "The Albanian Files". Ai tha se ky libër përmbledh projektet që janë planifikuar për Shqipërinë në bashkëpunim me arkitektë ndërkombëtarë.
Lika akuzoi kryeministrin Rama se ka vendosur për fatin e vendit për dekadat e ardhshme, ndërsa deklaroi se protestuesit nuk do të tërhiqen nga sheshi.
Teksa bëri një krahasim me zhvillimet në Serbi, aktivisti u shpreh se rezistenca qytetare ka bërë që presidenti Vuçiç të paralajmërojë brenda disa javësh do të japë dorëheqjen, ndërsa shtoi se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri.
“Ata menduan se ne do të lodheshim, por ne jemi më të fortë dhe më të qartë.
Do të flas për “The Albanian Files”, libër me mbi 700 faqe, aty janë tokat e të gjithë shqiptarëve. Rama ka vendosur se çfarë do të bëhet me Shqipërinë për 100 vite, tokat, lumenjtë, kullotat tona janë pjesë e projekteve që ne as nuk i dimë.
Gjatë kësaj kohe ka projekte shkatërruesë sikurse ka të tjera që janë anukuar. Kjo është dosja që do të shoqëroje Ramën drejt e në qeli.
Edhe sa do të rrimë këtu? Ne do të qëndrojmë dero në fund. Pas një rezistence mbi 1 vit e gjysmë presidenti i Serbisë tha se do të japë dorëheqjen, këta diktatorë pas një jave, një muaji, një vit do të largohen.
Kjo s’është garë sprinti, është maratonë, kjo është lojë nervash, por ne nuk dorëzohemi”, u shpreh aktivisti.
Politikania italiane mori pjesë në protestën e 28-të kombëtare para Kryeministrisë dhe shprehu mbështetjen për qytetarët shqiptarë...
Një zhvillim i rëndësishëm shënoi protestën e 28-të kombëtare që po zhvillohet pasditen e së shtunës para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku iu bashkua edhe eurodeputetja italiane Ilaria Salis.
Në fjalën e saj para protestuesve, Salis e cilësoi tubimin si një shembull të qytetarisë dhe demokracisë, duke deklaruar se "Evropa më e mirë nuk shihet në Bruksel, por këtu në Tiranë", ku sipas saj qytetarët po mbrojnë të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen e tyre.
"Për mua është një nder i madh të jem sot këtu me ju. Në këto rrugë, në zemër të Revolucionit të Flamingove, shohim Evropën më të mirë. Këtu njerëzit po mbrojnë me zërin dhe praninë e tyre inteligjencën, nevojat, ëndrrat dhe të drejtën themelore për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre", tha ajo
Eurodeputetja u ndal edhe te projektet që prekin ishullin e Sazanit dhe lagunën e Nartës, duke theksuar se ato duhet të mbeten pasuri të mbrojtura dhe jo të shndërrohen në destinacione luksi për pak njerëz.
"Shqipëria, toka e saj, bukuria dhe trashëgimia e saj kulturore nuk janë mall për t'u shitur. Ishulli i Sazanit dhe laguna e Nartës duhet të mbeten zona të mbrojtura për të gjithë dhe për brezat që do të vijnë. Ato nuk duhet të kthehen në një park argëtimi për të pasurit", tha Salis
Në përfundim të fjalës së saj, Salis tha se kauza e protestuesve nuk ka rëndësi vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën, duke bërë thirrje për vazhdimin e rezistencës qytetare.
"Ajo që po bëni sot është shumë e rëndësishme. Ju po shkruani histori dhe po tregoni një rrugë që mund të ndiqet nga popujt e tjerë. Shqipëria nuk është në shitje. Evropa nuk është në shitje. Bota nuk është në shitje. Të drejtat e njerëzve dhe të natyrës duhet të vijnë gjithmonë përpara parasë dhe interesave të të pushtetshmëve", tha eurodeputetja.
Sot protesta ka hyrë në ditën e 28 të saj. Por edhe pse prej 4 javësh protestuesit janë përballur me sulme e presione, numri i pjesëmarrësve mbetet ende shumë i lartë. Kërkesa e tyre është e qartë: Largimi i Ramës dhe ndryshimi i kastës politike në vend.
Një qytetar i kërkoi SPAK-ut të hetojë krerët e politikës, duke deklaruar se arrestimi i Edi Ramës do t'i hapte rrugën ndryshimit në vend.
Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike vijoi edhe sot me thirrje të forta drejtuar institucioneve të drejtësisë, ku një nga mesazhet më të forta iu adresua SPAK-ut.
Duke marrë fjalën para protestuesve, një qytetar i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme të ndërhyjë ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare, duke deklaruar se vetëm arrestimi i tyre mund t'i hapë rrugën një Shqipërie të re.
"Dua të bëjmë një thirrje për SPAK që ta bëjmë këtë revolucion të realizohet paqësisht. Sot SPAK e ka mundësinë të bëhet hero për fëmijët tanë. Që fëmijët e Shqipërisë së re që ne duam të ndërtojmë të kenë hero SPAK. Hetoni Edi Ramën, hetoni ministrat dhe çojini ata në burg. Një arrestim i Ramës do t'i hapte rrugë Shqipërisë së re. Patjetër edhe arrestimi i Berishës", deklaroi ai.
Fjalimi u prit me duartrokitje nga protestuesit, të cilët vijuan të brohorisnin thirrjet "Rama në burg" dhe "Berisha në burg", slogane që janë bërë pjesë e përhershme e protestës.
Prej 28 ditësh, qytetarët mblidhen çdo mbrëmje para Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe ndryshimin e sistemit politik. Organizatorët kanë deklaruar se protesta nuk është më vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë kastës politike, ndërsa kërkojnë hetimin dhe vendosjen para drejtësisë të zyrtarëve që, sipas tyre, mbajnë përgjegjësi për gjendjen në vend.

Aktivistja dhe banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj, mbajti një fjalim të fortë nga protesta e sotme para Kryeministrisë. Ajo e cilësoi qëndresën e protestuesve si historike dhe theksoi se karakteri paqësor i lëvizjes ka shqetësuar qeverinë.
Gjatë fjalës së saj, Kokaj u shpreh se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim dhe se, sipas saj, ajo po merr mbështetje edhe nga ndërkombëtarët.
Aktivistja bëri thirrje për anulimin e ligjeve që bien ndesh me interesat e shqiptarëve, si edhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në fund të fjalës së saj, aktivistja iu drejtua kryeministrit me një apel të drejtpërdrejtë, duke përmendur edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Qëndresa jonë është historike dhe kjo qëndrese kaq e bukur dhe kaq paqësorë është ajo që i ka prishur gjumin qeverisë. Ne do vazhdojmë çdo ditë e më shumë. Ndërkombëtarët janë me ne, disa prej tyre janë disa mes nesh, disa do vijnë në ditët në vazhdim. Kjo është një mbështetje e madhe. Por edhe në duhet të mbështesim ato vendime që PE ka marrë për ne. Do ti thërrasim shumë fort anulimit të ligjeve dhe dorëheqjes. Rama jepe dorëheqjen, merre Saliun me vetë”, tha Kokaj.

Mes ironisë, satirës dhe mesazheve politike, protestuesit përdorën pankarta kreative për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe për të përcjellë kërkesat e tyre për ndryshim.
Protesta e 28-të kombëtare kundër qeverisë nuk u karakterizua vetëm nga pjesëmarrja e lartë e qytetarëve, por edhe nga pankarta me mesazhe të forta, ironike dhe kreative, të cilat kishin në shënjestër kryeministrin Edi Rama dhe klasën politike.
Qytetarët mbushën bulevardin me pankarta në shqip dhe anglisht, duke përcjellë mesazhe kundër korrupsionit, qeverisjes dhe asaj që ata e cilësojnë si mungesë dëgjimi ndaj kërkesave të qytetarëve.
Një nga pankartat më të komentuara mbante mesazhin: "Flet për rindërtimin e Ukrainës, po nuk dëgjon shqiptarët në rrugë", ndërsa një tjetër ironizonte kryeministrin me fjalët: "Çfarë profesioni ke? Profesioni im: Mashtrues. – Njeri më të ndershëm nuk ke".
Nuk munguan as pankartat satirike, ku protestuesit i drejtoheshin Ramës me pyetjen: "Do bëni pushime këtë vit?", shoqëruar me përgjigjen ironike: "Unë faktikisht do jem në protestë tanë kohën. Ja kalofshit sa ma mirë".
Në mesin e turmës u panë edhe mesazhe në anglisht, si: "Albania belongs to its people" dhe "Day 28. We are still here. Democracy can't wait", të cilat synonin të tërhiqnin vëmendjen e opinionit ndërkombëtar dhe mediave të huaja të pranishme në protestë.
Një tjetër pankartë shkruante: "Hey Rama, nobody paid us to be here! We all hate you for free!", ndërsa një tjetër theksonte: "Kapital po, anonimitet jo. Shqipëria nuk është në shitje".
Në protestë u shfaqën edhe pankarta që kërkonin veprim nga drejtësia, si dhe mesazhe që lidhnin çështjen e hidrocentraleve me SPAK-un. Po ashtu, nuk munguan karikaturat dhe ilustrimet satirike që ironizonin figurat politike.
Ndër pankartat më të forta ishte edhe ajo me fotomontazhin e Edi Ramës dhe Sali Berishës pas hekurave, me mbishkrimin: "Ju erdhi fundi!", e shoqëruar me sloganin: "Rama në burg, Berisha në burg!".
Pankartat u shndërruan në një nga elementët më të spikatur të protestës së 28-të, duke reflektuar përmes ironisë, satirës dhe mesazheve politike pakënaqësinë e një pjese të protestuesve ndaj qeverisë dhe klasës politike.














Protestës kombëtare kundër qeverisë, që sot ka hyrë në ditën e saj të 28-të, i është bashkuar edhe një nga figurat më të njohura të rezistencës qytetare në Shqipëri, Nënë Liza, simboli i banorëve të "5 Majit", të cilët u përplasën me policinë gjatë prishjes së banesave të tyre.
Duke folur para protestuesve, ajo deklaroi se ka vendosur t'i bashkohet kësaj lëvizjeje, pasi, sipas saj, kryeministri Edi Rama duhet të largohet sa më parë nga pushteti.
"Kam vendosur të bashkohem sepse ky duhet të ikë një sahat e më parë, por nuk ikën ky me 'Rama ik', ky e do me dajak, sikurse na ka nxjerrë nga shtëpitë me dajak. Mua më kanë tërhequr zvarrë, 1500 policë më rrethuan shtëpinë, fëmijët m'i futën në burg", u shpreh Nënë Liza.
Ajo akuzoi qeverinë se ka lënë qytetarët pa mbështetje ekonomike, ndërsa tha se familja e saj ka mbetur pa shtëpi dhe është detyruar të ndryshojë disa herë banesën me qira.
"Jam pa lekë dhe pa shtëpi. Katër herë kemi ndryshuar shtëpinë me qira. Pensionet i rriti vetëm 2 mijë lekë. Është mësuar vetëm të mashtrojë, sepse ka lekë të mbajë gjithë botën e jo më Shqipërinë", tha ajo.
Në fjalën e saj, Nënë Liza reagoi edhe ndaj deklaratave të kryeministrit Rama, i cili më herët i ka cilësuar shqiptarët si "dele".
"Na quajti dele, kush janë delet? Burri që është burrë del para popullit, nuk fshihet", deklaroi ajo.
Në përfundim, simboli i rezistencës së "5 Majit" tha se protesta nuk duhet të ndalet deri në largimin e kryeministrit.
"Kemi marrë një shtëpi, faqja e zezë, s'ka asgjë brenda. Kjo protestë duhet të mbyllet kur të ikë Edi Rama", u shpreh Nënë Liza.

Protesta e 28-të e revoltës qytetare kundër kryeministrit Edi Rama dhe klasës politike ka nisur këtë të shtunë në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora.
Ashtu si në protestat e mëparshme, tubimi u shoqërua me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë. Pas grumbullimit në sheshin "Skënderbej", protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku më pas pritet të mbahen fjalimet nga podiumi.
Marshimi u shoqërua me thirrje të vazhdueshme si: "Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen!, "Shqipëri e re!", "Pa rini nuk ka Shqipëri!", "Dorëheqje!", "Revolucion!", "Ju erdhi fundi!", "Edi Rama o legen, prite popullin se po vjen".
Mes pankartave të mbajtura nga protestuesit lexohej: "Sundimi i arrogancës, fundi i durimit".
Një tjetër pankartë mbante mesazhin: "Shqipëria nuk shitet".

Ndërsa një pjesë e protestuesve brohoritën edhe: "Rama në burg, Berisha në burg!".
Në protestën e sotme marrin pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, ndërsa e pranishme është edhe eurodeputetja italiane Ilaria Salis.
Sipas organizatorëve, edhe protesta e sotme do të ndjekë të njëjtin skenar si tubimet e mëparshme, me marshim në rrugët e Tiranës dhe më pas mbajtjen e fjalimeve përpara Kryeministrisë.

Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa grupi koordinues i protestës ka bërë publike edhe kërkesa të tjera, si krijimi i një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese, reformim të Kodit Zgjedhor dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit.
Qytetarët nuk ndalin revoltën kundër qeverisë dhe kastës politike. Sot mbahet dita e 28 e protestës, ku pritet sërish pjesëmarrje masive.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht në Sheshin "Skënderbej", prej nga kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohen fjalimet dhe të përsëriten kërkesat që tashmë janë bërë boshti i kësaj lëvizjeje qytetare.
Ajo që nisi 28 ditë më parë si një protestë kundër projektit turistik në Zvërnec është shndërruar gradualisht në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës dhe gjithë kastës politike. Me kalimin e ditëve, protestës i janë bashkuar qytetarë nga shtresa dhe bindje të ndryshme, duke e kthyer atë në një revoltë që kërkon ndryshim të sistemit politik.
Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa grupi koordinues i protestës ka bërë publike edhe kërkesa të tjera, si krijimi i një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese, reformim të Kodit Zgjedhor dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit.
Edhe sot, gjatë marshimit, në rrugët e Tiranës po jehojnë thirrjet që kanë shoqëruar protestën që nga ditët e para: "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Rama në burg", "Berisha në burg", "Shqipëri e re", ndërsa qytetarët akuzojnë klasën politike se ka dështuar të përfaqësojë interesat e tyre.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në protestën kombëtare të kësaj të shtune, duke e cilësuar atë si një tjetër moment kyç të lëvizjes qytetare, e cila prej 28 ditësh vijon pa ndërprerje dhe po ushtron presion në rritje ndaj qeverisë dhe gjithë klasës politike.

Dita e 28-të e revoltës qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike ka sjellë në shesh edhe shumë emigrantë shqiptarë, të cilët janë kthyer nga vende të ndryshme të Europës për t'iu bashkuar protestave në Tiranë.
Mes tyre ishte edhe një emigrant i ardhur nga Italia, i cili denoncoi publikisht për mediat humbjen e pronave të tij dhe mungesën e reagimit nga institucionet e drejtësisë.
Ai tregoi se është përballur me dyer të mbyllura sa herë ka tentuar të kërkojë drejtësi.
"Unë vij në protestë sepse jam emigrant, vij nga Italia dhe më kanë marrë pronat. Shkoj të bëj denoncim, nuk ma marrin as denoncimin", u shpreh protestuesi.
Qytetari theksoi se pjesëmarrja në protestë është e vetmja mënyrë që i ka mbetur për të kërkuar ndryshim dhe për të ngritur zërin për problemet me të cilat, sipas tij, përballen shumë qytetarë.
"Vetëm përmes kësaj proteste, që të rrëzohet ky pushtet, përndryshe jam i vdekur", shtoi ai.
Protestat, të cilat kanë hyrë në ditën e tyre të 28-të, vijojnë të mbledhin çdo ditë qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, të cilët kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale.
Lini një Përgjigje