Argjentina e ka mbyllur në mënyrën më të mirë fazën e grupeve të Botërorit 2026, duke fituar 3-1 ndaj Jordanisë në ndeshjen e fundit të Grupit J dhe duke siguruar vendin e parë me maksimumin e pikëve.
Me kualifikimin të siguruar që më herët, trajneri Lionel Scaloni zgjodhi të aktivizonte një formacion të ndryshuar, duke bërë nëntë rotacione dhe duke lënë fillimisht në stol kapitenin Lionel Messi. Pavarësisht ndryshimeve, Argjentina dominoi takimin që nga minuta e parë.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 19-të, kur Giovani Lo Celso, që zëvendësoi Messin në formacion, realizoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit, me një ekzekutim të saktë nga rreth 18 metra.
Pak minuta më vonë, pas një ndërhyrjeje të rrezikshme të Ehsan Haddad ndaj Marcos Senesi-t, arbitri, pas konsultimit me sistemin VAR, akordoi një penallti për Argjentinën. Lautaro Martínez u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar golin e tij të parë në këtë Botëror dhe duke dërguar shifrat në 2-0 para pushimit.
Në pjesën e dytë, Jordania reagoi falë ndryshimeve taktike të trajnerit Jamal Sellami. Në minutën e 55-të, Musa Al-Tamaari shfrytëzoi një asist të Haddad dhe ngushtoi rezultatin në 2-1.
Pas këtij momenti, Scaloni hodhi në fushë Lionel Messin në minutën e 60-të, mes duartrokitjeve të tifozëve në stadiumin e Dallasit. Me këtë aktivizim, kapiteni argjentinas regjistroi paraqitjen e tij të 29-të në historinë e Kupës së Botës.
Ishte pikërisht Messi ai që i dha fund çdo shprese të Jordanisë. Dhjetë minuta para përfundimit të ndeshjes, ai realizoi një goditje dënimi të ekzekutuar mjeshtërisht, duke mposhtur portierin Yazeed Abulaila dhe duke vulosur fitoren 3-1. Ky ishte goli i 19-të i Messit në historinë e Kampionateve Botërore.
Argjentina e mbyll fazën e grupeve me tre fitore në tre ndeshje dhe në raundin e 1/16-ave do të përballet me debutuesit e Kepit të Gjelbër në Miami.
Nga ana tjetër, Jordania e mbyll aventurën e saj në Botëror me tre humbje në po aq ndeshje. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Jamal Sellami largohet nga turneu duke lënë gjurmë, pasi arriti të gjejë rrugën e rrjetës në secilën prej tri sfidave të zhvilluara.
Kliko për të parë golin:
Lini një Përgjigje