Një grup shpërndarësish të lëndëve narkotike që vepronte në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit, përfshirë edhe plazhet, është goditur nga Policia.
Aksioni, i koduar “The Hill 2” çoi në arrestimin e dy të rinjve, të cilët dyshohet se furnizonin përdoruesit me doza të vogla kokaine dhe cannabis sativa. Gjatë kontrolleve, efektivët sekuestruan mbi 100 doza të lëndëve narkotike të gatshme për shitje, para të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, si dhe armë të ftohta.
Sipas Policisë, dy të dyshuarit u lokalizuan dhe u kapën në fshatin Rrashbull, ndërsa kontrollet e mëtejshme në trup dhe në banesat e tyre sollën zbulimin e një sasie të konsiderueshme dozash narkotike të përgatitura për treg.
“Si rezultat i operacionit, të zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, D. R., 33 vjeç, dhe K. Xh., 27 vjeç, të dy banues në Durrës.
Dy personat dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin aktivitetin e shpërndarjes së kokainës dhe cannabis sativa në doza të vogla.
Ata u kapën në fshatin Rrashbull, ndërsa gjatë kontrolleve fizike dhe në banesa, u sekuestruan mbi 100 doza lëndë narkotike të dyshuara kokainë dhe cannabis sativa, të përgatitura për shitje, një shumë parash e dyshuar si përfitim nga aktiviteti kriminal, dy armë të ftohta (një shkop bejsbolli dhe një thikë) si dhe tre celularë.
Policia bëri të ditur se materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, njofton policia.
Lini një Përgjigje