
Dy aksidente rrugore janë regjistruar pothuajse në të njëjtën kohë pasditen e sotme në dy akse të ndryshme të Pogradecit, duke lënë të plagosur dy drejtues mjetesh.
Raportohet se, aksidenti i parë ndodhi në rrugën e re të Qafë Plloçës, ku një automjet doli nga rruga dhe u përplas me barrierat anësore. Si pasojë, drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur dhe u transportua në Spitalin e Pogradecit për ndihmë mjekësore.
Sipas bluzave të bardha, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshimet paraprake janë se shoferi mund të jetë përgjumur gjatë drejtimit të mjetit, duke humbur kontrollin. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
Një tjetër aksident u regjistrua në aksin Pogradec–Lin, pranë fshatit Pojskë. Edhe në këtë rast, një automjet doli nga rruga dhe u përplas me barrierat anësore.
Si pasojë, mbeti i plagosur drejtuesi i mjetit. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ekipet e emergjencës, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Autoritetet po punojnë për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e dy aksidenteve.
Lini një Përgjigje