TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Korrik 2026, 09:33

Atentati në Pogradec/ Vëllezërit Agolli vendosën kamera pranë burgut të Drenovës për të monitoruar Brian Syzon

Shkruar nga Pamfleti
Atentati në Pogradec/ Vëllezërit Agolli vendosën kamera
Nikolla Agolli, Brian Syzo

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin ndaj Brian Syzos në Pogradec, për të cilin akuzohen vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli.

Sipas burimeve, katër ditë para ngjarjes është konstatuar një kamerë e vendosur në afërsi të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë.

Burimet bëjnë me dije se pajisja ishte instaluar në një nga plepat përgjatë rrugës që të çon drejt burgut. Pas informacioneve të siguruara nga Komisariati i Policisë Korçë, u bë i mundur lokalizimi i kamerës, si edhe zbardhja e rrethanave që implikojnë vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli.

Nga këqyrja e pamjeve filmike, hetuesit kanë identifikuar dy vëllezërit si personat që kanë vendosur kamerën për të monitoruar lëvizjet pranë institucionit. Dyshohet se qëllimi i tyre ishte vëzhgimi i Brian Syzos, me synimin për ta sulmuar në momentin kur ai do të shkonte për të takuar vëllain e tij, Sindi Syzo, i cili po vuan dënimin për plagosjen me thikë të Nikolla Agollit në një berberhane. Sipas hetimeve, motivi dyshohet të ketë qenë hakmarrja.

Nikolla Agolli u arrestua pak minuta pasi qëlloi disa herë me armë zjarri ndaj Brian Syzos në Pogradec. Në pranga u vu edhe David Prifti, ndërsa në kërkim janë shpallur Edison Agolli dhe Meardi Berberi.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur dy ditë më parë në qytetin liqenor, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e Meardi Berberit, i njohur me nofkën "Koro", si edhe të Edison Agollit.

Lini një Përgjigje