TAGS-AT E JAVËS

Kronike30 Qershor 2026, 18:10

Policia përditëson bilancin e aksidentit pranë QTU-së: Një viktimë dhe 12 të plagosur, fëmija rikthehet në jetë

Shkruar nga Pamfleti

Policia përditëson bilancin e aksidentit pranë QTU-së:

Policia korrigjoi bilancin fillestar të aksidentit, duke bërë të ditur se viktima e vetme është drejtuesi i autobusit, ndërsa 12 pasagjerë po marrin trajtim mjekësor, 7 prej tyre në gjendje të rëndë. Ndërkohë, 1 fëmijë është rikthyer në jetë.

Policia e Shtetit ka përditësuar të dhënat lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur pasditen e së martës në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë doli nga rruga dhe u përmbys.

Sipas sqarimit zyrtar, nga aksidenti ka humbur jetën vetëm drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë. Ndërkohë, numri i të plagosurve është 12 pasagjerë dhe jo 15, siç u raportua fillimisht.

Nga të plagosurit, 7 ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po marrin trajtim mjekësor.

Policia sqaron se konfuzioni në raportimin e parë u krijua për shkak të situatës së rënduar në vendngjarje dhe transportimit të të plagosurve në disa struktura spitalore. Një fëmijë, i cili mbërriti në një spital privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së menjëhershme të ekipit mjekësor me procedura reanimimi. Më pas ai u transportua në Spitalin Ushtarak, ku vijon të mbahet nën kujdes intensiv.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të përcaktuar shkakun e aksidentit dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

"Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.

Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.

Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit.

Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit", njoftoi policia.

Lini një Përgjigje