Reperi amerikan Kanye West mund të jetë pranë mbylljes së një prej proceseve më të bujshme gjyqësore që e ka shoqëruar gjatë vitit të fundit.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga TMZ, West dhe ish-asistentja e tij, Lauren Pisciotta, janë në fazat përfundimtare të një marrëveshjeje jashtë gjykatës, pas padisë së ngritur në qershor të vitit 2024.
Pisciotta pretendon se është pushuar nga puna pasi ka refuzuar sjellje të papërshtatshme nga artisti. Në padinë e saj, ajo e akuzon reperin për dërgim mesazhesh dhe videosh me përmbajtje seksuale eksplicite, si dhe për sjellje të tjera të papërshtatshme gjatë një qëndrimi në hotel.
Avokatët e të dyja palëve janë takuar në fillim të qershorit në kuadër të procesit të ndërmjetësimit, ku raportohet se është arritur një marrëveshje në parim. Gjykata ka shtyrë seancën e radhës për t’u dhënë kohë finalizimit të saj.
Ndërkohë, kjo nuk është e vetmja çështje ligjore që lidhet me Kanye West. Gjatë këtij muaji, një tjetër grua e ka akuzuar publikisht për sulm seksual dhe dhunë, pretendime të cilat artisti i ka mohuar vazhdimisht.
Mbetet ende e paqartë nëse marrëveshja me ish-asistenten do ta mbyllë përfundimisht këtë çështje, apo nëse do të ketë zhvillime të tjera ligjore në vijim.
Lini një Përgjigje