Nëntë persona janë arrestuar të mërkurën gjatë një operacioni të gjerë të përbashkët të Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar, pastrim parash, kontrabandë dhe shmangie nga detyrimet tatimore.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë kontrolluar 21 vende të ndryshme, ndërsa gjatë aksionit janë arrestuar Gazmend Quni, Skender Kelmendi , Faruk Mazrek, Naser Morina, Korab Visoka, Dashnim Miftari, Muhamet Mazrek, Fatmir Visoka dhe Adem Morina.
Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar 15 mijë euro cash, 5 vetura, 5 autobotë për transportin e derivateve të naftës, dy armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme, si dhe prova të tjera që lidhen me rastin.
Po ashtu, janë sekuestruar edhe 301 euro në kartëmonedha prej dy eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Sipas Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ngarkohen për veprat penale të pastrimit të parave, kontrabandimit të mallrave në bashkëpunim, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, përdorimit të dokumenteve të rreme lidhur me tatimin dhe shmangies nga tatimi.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke përdorur dokumente të rreme tatimore dhe duke kryer shitje e transaksione fiktive me derivate të naftës.
Institucionet kanë bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
Lini një Përgjigje