Policia dyshon për veprën penale "Vrasje e rëndë", ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes…
Një person ka humbur jetën mbrëmjen e së dielës në Ferizaj, pas një ngjarjeje të rëndë që ndodhi në një banesë në rrugën "Sejdi Sejdiu". Policia e Kosovës ka bërë të ditur se viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa ekipi mjekësor konfirmoi vdekjen e tij në vendngjarje.
Rasti u raportua rreth orës 22:50. Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes mbërritën njësitet policore, hetuesit rajonalë, kriminalistika dhe prokurori i shtetit për Krime të Rënda, të cilët nisën veprimet hetimore.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, hetuesit konstatuan një plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Në banesë u sekuestruan një pistoletë dhe një gëzhojë, të cilat do t'i nënshtrohen ekspertizës.
Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja ndodhi në banesën e M.B., 48 vjeç. Në momentin e incidentit aty ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza, A.R., 24 vjeçe. Kjo e fundit pësoi lëndime trupore dhe u dërgua për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se dyshimet fillestare e lidhin rastin me veprën penale "Vrasje e rëndë". Me urdhër të prokurorit, M.B. është ndaluar për 48 orë. Urdhër ndalimi për të njëjtën periudhë është lëshuar edhe ndaj A.R., e cila vazhdon të marrë trajtim mjekësor në QKUK.
Ndërkohë, trupi i pajetë i 32-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e prokurorit për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Lini një Përgjigje